Në ditët e fundit në Kosovë ka pasur një rënie të lehtë të rasteve me koronavirus, krahasuar me muajin janar të 2022-së, ku shifrat e të infektuarve brenda 24 orëve kanë shkuar edhe mbi katër mijë.
Infektologu Hamdi Ramadani në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se vala e COVID-19, u arrit të ndalet në shkurt pasi në janar kishte numër të madh të personave që e kaluan virusin.
Gjithashtu, Ramadani thotë se edhe masat kufizuese kanë ndikuar që të ketë rënie të rasteve.
“Një rënie e ndjeshme e të sëmurëve me COVID-19 është evidente dhe mendoj që kjo është një gjë e mirë, kjo ka ndodhë për shkak të dy arsyeve. Për shkak se në janar ishte një numër i madh i qytetarëve që u infektuan me coronavirus, dhe shumica e tyre kanë manifestu simptoma ta quajmë të vogla, të cilat mendoj se nuk janë regjistruar në protokolle, pasi sëmundjen e kanë kaluar më lehtë në shtëpi. E dyta është numri i madh i qytetarëve që janë shëruar nga coronavirusi, ata kanë imunitet të mirë për disa muaj, këtu duhet shtuar edhe masat që janë marrë, të cilat janë ende në fuqi ku përfshihet ora policore, mendoj se ka kanë ndikuar që të shtypet vala e coronavirusit”, ka pohuar ai.
Ramadani theksoi se kjo situatë do të vazhdojë edhe për disa javë, ndërsa shtoi se mbetet për tu parë nëse do të ketë valë të re të virusit pas pesë muajsh.
“Kjo situatë do të vazhdojë edhe për disa javë e muaj dhe vendi do të jetë në një situatë me të qëndrueshme, dhe të shohim diku pas 5 muajve a do të na shfaqet edhe një variant i ri i COVID-19, dhe të shohim a do të kemi një përsëritje apo valë të re të coronavirusit, por tash për tash situata ka filluar të normalizohet. Mendoj që edhe masat që tash janë në fuqi, e kanë arrit efektin dhe mendoj që organet përkatëse do ta analizojnë dhe do t’i heqin”, potencoi ai.
Ramadani mes tjerash tha se tani u mbetet qytetarëve që të vaksinohen kundër coronavirusit dhe të marrin edhe dozën e tretë, po ashtu ai tha se tani duhet të fillojë vaksinimi edhe i fëmijëve mbi moshën 5 vjeç
“Ata që e marrin dozën e tretë mbrohen nga të gjitha variantet e coronavirusit. Mendoj që edhe në Kosovë mosha nga 5 vjeç të fillojë vaksinimi, ky vit do të jetë fillimi i fundit të pandemisë, por nuk do të zhduket coronavirus, dhe ai mund të paraqet efektet e tij një herë ose dy në vit”, theksoi Ramadani.
Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë 1.8 milionë vaksina, rreth 63 për qind e popullatës tonë e moshës mbi 12 vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19 dhe 57 për qind të dy dozat.
Në total numri i rasteve aktive është 16.028. Prishtina prin me numrin me të madh të rasteve aktive, gjithsej 3,484 raste. Pastaj, Peja me 1,153 raste aktive. Gjilan, 1,064 raste aktive, komunat tjera kanë numër më të vogël të rasteve aktive.