Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Rreth 57% e qytetarëve kanë marrë të dy dozat e vaksinës antiCOVID – deklarata e ministrit Latifi për çështjen e vaksinave pa afat

Në Kosovë është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve kundër coronavirusit. Prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë 1.8 milionë vaksina, rreth 63 për qind e popullatës tonë e moshës mbi 12 vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19 dhe 57 për qind të dy dozat.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri më sot janë dhënë 92.117 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Në Kosovë janë duke u dhënë dy lloje të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer dhe AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, dhe të respektojnë masat mbrojtëse ndaj coronavirusit.

Në total numri i rasteve aktive është 16.028. Prishtina prin me numrin me të madh të rasteve aktive, gjithsej 3,484 raste. Pastaj, Peja me 1,153 raste aktive. Gjilan, 1,064 raste aktive, komunat tjera kanë numër më të vogël të rasteve aktive.

Ndryshe, më 22 janar Qeveria e Kosovës ka lehtësuar masat antiCOVID, ku është zgjatur orari i lëvizjes për qytetarë e po ashtu edhe orari i punës për sektorin e gastronomisë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ditë më parë ka deklaruar se nëse situata epidemiologjike vazhdon të përmirësohet atëherë do të heqin të gjitha masat kufizuese.

“Asnjë i sëmurë nuk i është ndaluar hyrja në Kosovë. Gjendjen qysh e kemi unë besoj që ka me u përmirësuar, e nëse përmirësohet dukshëm ne do t’i heqim të gjitha masat”, kishte deklaruar ministri në emisionin “Përballje” në Telegrafi.

Ministri po ashtu kishte deklaruar se të gjitha vaksinat kanë afat, duke ftuar kështu qytetarët të marrin vaksinat kundër COVID-19.

“Asnjë vaksine nuk i ka kalu afati, dhe asnjë vaksinë me afat të skaduar nuk ka me iu dhënë ndonjë pacienti në Kosovë. Nëse kjo ngjan, që dikush të merr vaksinën me afatin e skaduar unë jap dorëheqje atë ditë”, ka deklaruar ai.

Për afatin e vaksinave kishte kritika të shumta nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili kishte akuzuar MSH-në se po e fshehë numrin e vaksinave që s’kanë afat.

“Edhe sot MSH vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati. Nga data 24 dhjetor 2021, unë kërkoj qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoj certifikata të analizës për çdo seri të vaksinave të importuar, por Ministria e Shëndetësisë nuk lejon qasej në dokumentet publike. Pra, MSH ka dështuar të implementojë planin e vaksinimit”, kishte deklaruar ai në Kuvend. /Telegrafi/

Youtube

Arkiva

Kategoritë