Kosova sot pranon një donacion prej mbi 500 mijë vaksina Pfizer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka bërë të ditur këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Drin Podrimçaku.
“Sot, Kosova pranon kontingjentin prej 515,970 doza të Pfizer, të premtuara nga Presidenti Biden përmes mekanizmit COVAX. Përherë mirënjohës ndaj miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Vaksinat janë mjeti ynë më i mirë për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur ekonominë dhe mënyra jonë më e mirë për t’u kthyer te njerëzit, vendet dhe gjërat që duam. Për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të tjerët në vijën e parë të përballjes me pandeminë që janë vaksinuar: Faleminderit. Le të ndjekim të gjithë shembullin e tyre”, shkruan ai në Facebook.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se sot do të mbahet ceremonia e pranimit të këtyre dozave.
“Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës do të mbahet sot ceremonia e pranimit të 515, 970 dozave të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Presidenti i SHBA, Joe Biden për popullin e Kosovës, të cilët në vendin tonë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në ceremoninë pranimit zyrtar të këtij donacioni nga SHBA-të për Kosovën do të marrin pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier , shefja e UNKT, Ulrika Richardson dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.