Shkruar nga: Albina Selmanaj
Të bëhesh nënë për herë të parë është gjëja më e bukur për një grua, por njëkohësisht është edhe periudha më e vështirë për një prind të ri. Çdo nënë e re ndihet e shqetësuar rreth kujdesit për një krijesë aq delikate, një ndër brengat e tyre është edhe gjakderdhja nga vagina e bebeve vajza që ndodh gjatë ditëve të para paslindjes.
Gjakderdhja e mitrës së bebes, e quajtur ndryshe edhe menstruacioni neonatal, është gjakderdhja që disa të porsalindura vajza shfaqin disa ditë pas lindjes.
Në një intervistë për Familjajonë, gjinekologu, Dr. Berat Krasniqi ka shpjeguar se kjo gjakderdhje e bebeve vajza është normale, gjë e cila shkaktohet nga rënia e papritur e estrogjenit të nënës pas lindjes.
“Vajzat e vogla mund të kenë gjakderdhje të vogël vaginale. Mund të fillojë në çdo kohë nga 2-10 ditë të jetës. Kjo është normale dhe quhet menstruacione të rreme. Shkaku është rënia e papritur e estrogjenit të nënës (një hormon) pas lindjes.”, shpjegoi Krasniqi.
Sipas Krasniqit kjo gjakderdhje zgjatë deri në 3 ose 4 ditë, mirëpo nëse kjo vazhdon të ndodhë edhe pas 5 ditëve atëherë duhet që bebja të vizitohet nga mjekët përkatës.
“Është konsideruar gjithmonë një fenomen parafiziologjik, kryesisht për shkak të uljes së papritur pas lindjes të niveleve të hormoneve të nënës. Nëse gjakderdhja zgjat më shumë se 3-4 ditë duhet të bëhen metoda diagnostike dhe të rishikohet gjendja klinike e bebes duke shikuar nivelin hormonal te prodhimit te bebes, ndersa dihet qe gjakderdhja nga mitra e bebes ndodhe për shkak të rënjes së vlerave të hormoneve të nënës”, shtoi Krasniqi.
Ndërkaq, një nga problemet që mund të sjell kjo gjendje në të ardhmen sipas gjinekologut, Kransniqi është patologjia kronike gjinekologjike, endometrioza.
“ Pavarësisht një vëmendjeje në rritje ndaj kësaj shenje klinike vitet e fundit, për momentin është e mundur vetëm të formulohen hipoteza që lidhin këtë fenomen parafiziologjik me shëndetin gjinekologjik: 1) Endometrioza me fillimin e hershëm mund të shkaktohet nga gjakderdhja e ngjashme me menstruacionet tek të porsalindurit, duke çuar në refluks tubal dhe implantim ektopik të qelizave staminale/progenitore endometriale. 2) Qëndrueshmëria e rezistencës së pjesshme të progesteronit tek vajzat adoleshente mund të komprometojë vendosjen e thellë të placentës dhe të llogarisë rritjen e rrezikut të sindromave kryesore obstetrike, duke përfshirë preeklampsinë, vonesën e rritjes së fetusit dhe lindjen e parakohshme. 3) Edhe manifestime të tjera klinike, si gjakderdhja jofunksionale e mitrës në adoleshencë dhe PCOS (Syndroma e Ovareve Policistike), mund të lidhen me efektet prenatale dhe neonatale të progesteronit në nivel endometrial, duke i dhënë asaj një lloj ngulitjeje për të ardhmen”, theksoi gjinekologu.
Si gjinekolog , Krasniqi këshillon nënat e reja që menjëherë pas gjakderdhjes klinike, të kërkojnë ndihmën e neonatologut dhe pediatrit.
“Viteve te fundit ka filluar të rritet ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi i nënave dhe personelit mjekësor në lidhje me gjakderdhjet nga mitra e bebeve dhe si rezultat i kësaj të gjitha nënat këshillohen dhe informohen se fillimi klinik i gjakderdhjes është shpesh menjëherë pas daljes nga spitali, andaj duhet të drejtohen menjëherë të kërkojnë ndihmën e neonatologut dhe pediatrit pasi që këta luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe duhet të informohen për zhvillimin e ardhshëm të kërkimeve klinike për këtë”, tha ai.
Gjakderdhja e mitrës neonatale ndodh te afërsisht 5% të të porsalindurve dhe është relativisht e rrallë. Provat biokimike të gjakderdhjes vaginale mund të gjenden në 25-61% të të porsalindurve, në varësi të metodave të ndryshme të përdorura për ta zbuluar atë.