Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Pse disa gra nuk ndahen dot nga partneri abuziv? Si ta kuptoni se lidhja juaj është traumatike

Kur jemi në një situatë normale themi se do largoheshim ose do ndaheshim patjetër nëse partneri bëhej abuziv. Mirëpo ka disa faktorë psikologjikë që tregojnë se largimi nga një situatë abuzive është më e vështirë sesa e kuptojnë shumica e njerëzve. Lidhja traumatike  mund të shpjegojë pse disa viktima të dhunës në familje hezitojnë të largohen nga dhunuesi i tyre, pavarësisht se njerëzit e tjerë i nxisin ata të ikin. Por është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për lidhjen traumatike, në mënyrë që të ndihmoni veten duke mos e lejuar të bini në grackë. Ja çfarë duhet të dini për këtë fenomen të frikshëm psikologjik.

Çfarë është lidhja traumatike?

Lidhja traumatike i referohet një situate në të cilën dikush që abuzohet bëhet aleat dhe mbrojtës i dhunuesit të tij. Është pothuajse gjithmonë e çuditshme për vëzhguesit e jashtëm arsyeja pse ndodh kështu.  Si mundet dikush që po përjeton vazhdimisht dhimbjen e keqtrajtimin të zhvillojë një besnikëri të fuqishme ndaj personit që po e keqtrajton?”

Lidhja traumatike mund të lidhet me atë që njihet si “lidhje e çorganizuar. Një lidhje e çorganizuar karakterizohet nga dikush që kërkon siguri dhe shpëtim nga i njëjti person që po e nxit dhe po ia shton nevojën ta kërkojë këtë siguri dhe shpëtim. Shpesh, personi i abuzuar në një marrëdhënie traumatike mund të ketë ndjenja të përziera për partnerin ose dhunuesin, gjë që i pengon ata të kërkojnë ndihmë. Këta njerëz mund të shpjegohen me faktin se partneri i tyre nuk ishte gjithmonë i keq, apo agresiv, dhe ndonjëherë ose shpesh ky partner është i mirë dhe thotë se i do.

Pse lidhja traumatike është kaq e dëmshme?

Ka disa arsye. Sa herë që një person po përjeton traumë nga dikush në një marrëdhënie të ngushtë, mund të ketë një kërcënim të rëndësishëm për sigurinë e tij. Nëse një person ka përjetuar dhunë, kjo mund të përshkallëzohet dhe të shkaktojë lëndime të rënda, pasi ekziston një rrezik real i përshkallëzimit të dhunës. Këto marrëdhënie mund të shkaktojnë mbiprodhim të hormonit kortizol,  hormonit të stresit tek një person që po abuzohet, që mund të përjetojë pastaj edhe probleme mendore. Njerëzit që janë në marrëdhënie traumatike mund të ndërpresin lidhjet edhe menjerëzit e tjerë në jetën e tyre. Shpesh abuzuesi do t’i shtyjë  të ndërpresin komunikimin e tyre me miqtë dhe familjen, duke i lënë ata edhe më të pambrojtur dhe larguar nga ndikimi pozitiv i njerëzve që kujdesen.

Si hyjnë njerëzit në një marrëdhënie traumatike?

Sipas ekspertëve, personat që keqtrajtohen mund ta kenë përjetuar këtë keqtrajtim që fëmijë dhe pranojnë lidhje të tilla madje edhe presin të trajtohen keq.Në rrethana të tilla, partneri abuziv mund të kuptojë se ka gjetur një “shënjestër të lehtë” – dikë që do të tolerojë sjelljen e keqe dhe nuk do të protestojë. Në situata të tjera, abuzuesi “mund të fillojë marrëdhënien duke u sjellë shumë mirë dhe gradualisht të përshkallëzohet duke u bërë kontrollues dhe kritik.

Shenjat që tregojnë se jeni në një lidhje traumatike

Nëse leximi i pjesës më lart u tingëllon çuditërisht e njohur, është e kuptueshme të keni pyetje nëse mund të jeni aktualisht në një lidhje traumatike. Ekspertët thonë se ka disa shenja treguese:

Ju mbroni ose përpiqeni t’u shpjegoni të tjerëve keqtrajtimin e partnerit tuaj ndaj jush.

Ju pranoni të ndërprisni lidhjet me familjen dhe miqtë tuaj me insistimin e partnerit tuaj.

Ju ndiheni gjithnjë e më të pasigurt, me dyshime për veten dhe të varur nga partneri juaj ndërsa lidhja juaj vazhdon.

Ndjeni se ka një çekuilibër fuqie (si p.sh., ju mbështeteni te partneri juaj për stabilitetin tuaj financiar ose ndiheni sikur keni nevojë për lejen e tij për të bërë gjëra të caktuara).

Çfarë duhet të bëni nëse dyshoni se jeni në një lidhje traumatike

Është e lehtë për njerëzit e tjerë të thonë se thjesht duhet të largohesh nga kjo lidhje, kjo është më e vështirë sesa tingëllon. Fillimisht përpiquni të rivendosni komunikimin me familjen ose miqtë tuaj nëse mendoni se marrëdhënia me ta është tensionuar ose jështë ndërprerë. Pastaj, bëni atë që mundeni për t’u bërë më e pavarur, si gjetja e një pune, krijimi i miqve të rinj dhe eksplorimi i interesave të reja që s’kanë të bëjnë vetëm me partnerin.Nëse mundeni, rekomandohet gjithashtu të kërkoni këshillim, qoftë nga grupet mbështetëse ose nga një profesionist i shëndetit mendor i cili është i specializuar në punën me njerëz që janë në marrëdhënie abuzive. Nëse ju duket urgjente, merrni në çantë gjërat më thelbësore që ju duhen dhe largohuni.

Youtube

Arkiva

Kategoritë