Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i shoqëruar nga zëvendësministri Arsim Berisha dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, sonte vizitoi Klinikën e Infektivës dhe Klinikën e Pediatrisë në QKUK, dhe u njoftua nga drejtuesit e këtyre klinikave dhe ekipet kujdestare për punën dhe trajtimin e rasteve me COVID-19.
Latifi falënderoi mjekët dhe infermierët për punën që po bëjnë në trajtimin e të prekurve nga COVID-19 dhe u njoh me ecurinë e rasteve që po trajtohen aty, thuhet në një postim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Dr. Arben Vishaj, drejtor i Infektivës njoftoi se brenda 24 orëve të fundit në këtë klinikë ka pasur shtatë raste të pranuara me COVID-19 dhe gjashtë të shëruar, derisa nga 54 pacientë sa aktualisht janë në këtë klinikë, katër prej tyre janë në mjekimin intensiv.
Ndërkaq, në Klinikën e Pediatrisë, drejtoresha Violeta Grajçevci Ukaj tha se për momentin në klinikë janë duke u trajtuar 4 fëmijë me COVID-19 dhe se personeli është I organizuar për të menaxhuar rastet.
Ministri Latifi tutje tha se puna e profesionistëve shëndetësor është një shembull i përkushtimit për ta menaxhuar sa më mirë çdo rast me COVID-19 dhe bëri thirrje popullatës që të vaksinohen dhe t’i zbatojnë masat në fuqi me qëllim që punë e mantelbardhëve të lehtësohet, njofton MSH.