Zëdhënësi i Ministrisë se Shëndetësisë, Faik Hoti përmes një postimi në Facebook ka publikuar të dhëna më të detajuara për variantin e ri të SARS-CoV2, Omicron dhe variantin tjetër të njohur me emrin Delta, studime këto të kryera në Angli, Skoci dhe në vendin e origjinës së Omicron-it në Afrikën e Jugut.
Sipas Hotit këto studime thonë gjithashtu që doza përforcuese e vaksinës e cila përdoret për të luftuar variantin COVID-19, e lufton edhe Omicron-in e edhe Delta-n gjithashtu.
“Të dhënat tregojnë se vaksinat janë ende mbrojtëse ndaj sëmundjeve të rënda. Megjithatë, mutacionet e identifikuara në variantin Omicron dhe të dhënat paraprake nga studimet sugjerojnë se vaksinimi mbron më pak nga infektimi dhe infektimi i të tjerëve. Dozat përforcuese të vaksinës COVID-19 e rrisin mbrojtjen ndaj formave të rënda të shkaktuara nga varianti Delta dhe, gjithashtu mund të rrisin mbrojtjen kundër variantit Omicron si ndaj infeksionit, ashtu edhe ndaj formave të rënda të sëmundjes. Ndikimi në nivel të popullatës pritet të jetë më i lartë nëse doza përforcuese jepet brenda një intervali të shkurtër kohor”, thuhet në postimin e Hotit në Facebook.
Megjithatë sipas studimeve Hoti tha që këtë vit mund ta kemi të prodhuar edhe vaksinën specifike për variantin Omicron.
“Prodhuesit e vaksinave po punojnë në zhvillimin e vaksinave specifike kundër Omicron. Këto vaksina mund të bëhen të disponueshme më vonë këtë vit, por koha e saktë nuk mund të parashikohet ende me saktësi”.