Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 12:53 ka ndodhur një aksident komunikacioni në dalje të fshatit Talinofc i Muhaxherëve në Ferizaj, ku si pasojë një femër e moshës 36 vjeçare ka humbur jetën.
“Aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ndodhur, derisa një automjet civil i udhëtarëve Opel me targa vendore ishte duke lëvizur në rrugën lokale nga Ferizaj në drejtim të fshatit Sazli dhe posa arrin në dalje të fshatit Talinovc i Muhaxherëve , për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë ( mot me shi) shoferi e humb kontrollin mbi automjet dhe kalon në anën e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe godet një shtyllë elektrike të betonit“, thuhet në njoftim.
Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën personi me inicialet K.G (F/K) e moshës afërsisht 36 vjeçare, që ishte pasagjere në automjet, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, lëndime trupore kanë pësuar shoferi i automjetit me inicialet A.G ( M/K) i moshës 18 vjeçar dhe një pasagjerë tjetër me inicialet L.G (M/K) i moshës 20 vjeçar.
Të njëjtit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj , ku dhe po trajtohen .
Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet e policisë nga stacioni policor i Ferizajt, Njësia e Hetimeve të Aksidenteve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor, Brigada e Zjarrëfikësve nga Ferizaj dhe auto-ambulanca e spitalit rajonal të Ferizajt.
Gjithashtu në vendin e aksidentit ka dalur edhe Prokurori nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe me vendim të tij, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve të Aksidenteve në koordinim me Prokurorin e shtetit.