Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për medie ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCOVID-19, kjo për shkak të variantit të ri, Omicron, i cili është klasifikuar si shqetësues dhe mund të sjellë pasoja të rënda nëse shpërhapet brenda vendit.
“Javëve të fundit në shumë vende të botës është shfaqur varianti i ri, Omicron, i virusit Corona, të cilin OBSh e ka klasifikuar si “variant shqetësues” dhe ka paralajmëruar mundësinë e “pasojave të rënda” nga valët e shkaktuara prej këtij varianti. Për shkak se këto rreziqe mund të fillojnë të shfaqen brenda ditësh, zbatimi më efikas i masave është jo vetëm i domosdoshëm, por dhe çështje urgjente, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, në lidhje me vizitat e mërgimtarëve në prag të festave, nga MSh kanë kërkuar që të mos mbahen manifestime masive, pasi paraqesin rrezik të lartë.
“Si gjithnjë, do t’i mirëpresim mërgimtarët tanë, sepse janë pjesë integrale e shoqërisë sonë, megjithëse edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet masive, sepse paraqesin rrezik të lartë në këtë situatë”.
Po ashtu nga MSh thonë se janë vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja të analizës epidemiologjike dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, mbi të cilat ne do të përditësojnë masat, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.
“Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë angazhohet që në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten, apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken fillimisht, Qeverisë së Republikës së Kosovës do të i propozohen masat e reja lehtësuese, gjithmonë pa e rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
“Bashkë ia dalim” është sllogani i fushatës së vaksinimit, dhe besojmë që përgjithësisht në përballjen me Covid-19 ja dalim vetëm bashkë, pasi që para së gjithash ne jemi këtu për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e secilit qytetar nga rreziku që vie nga Covid-19, andaj një përpjekje e përbashkët e qytetarëve dhe veprimtarive socio-ekononomike në zbatimin e masave aktuale antiCovid e lehtëson ndërmarrjen e lirimit eventual të masave në funksion të veprimit më dinamik të ekonomisë dhe jetës sociale”, thuhet në fund nga MSh