Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Gjithçka rreth simptomave, trajtimit dhe mbrojtjes nga gripi sezonal, tregon mjeku familjar, Dr. Bajram Ajeti

Shkroi: Albina Selmanaj

Si çdo vit në këtë kohë gripi sezonal ka shqetësuar përsëri qytetarët e Kosovës, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike që nga tetori e deri më tani janë infektuar mbi 15 mijë persona me gripin sezonal. Ndërkaq, moshat më të prekura nga ky virus deri më tani janë të rinjët dhe fëmijët.

Sipas Mjekut familjar, Bajram Ajeti shenjat klinike me të theksuara të këtij gripi te pacientët në këtë vit janë skuqja e fytit dhe temperatura mbi 38°C.

Simptomat si ethe, temperaturë, zënie apo shkuarje hundësh, kollitje të thatë më shpesh, dhimbje fyti dhe engineer edhe dhimbje gjoksi për shkak të kollitjes me intenstitet më të lartë, si dhe mialgji (dhimbje muskujsh) dhe plogështia janë po ashtu simptomat e këtij gripi sezonal“, shtoi Ajeti.

Marrja e sasisë së shtuar të lëngjeve, kryesisht çajrave, pushimi dhe ajrosja e dhomës janë mënyrat më të mira të trajtimit të këtij virusi tha doktori familjar për Familjajonë.

 “Trajtimi zakonisht është simptomatik pra japim analgjetik dhe antipiretik (paracetamol dhe/ose ibuprofen), vitamina kryesisht Vitaminë C, antitusik e ndonjëherë edhe dekongjestant nazal kur kemi edhe zënie hundësh.”, tha Doktor Ajeti.

Gripi është një infeksion akut viral, i cili shpërhapet në mënyrë të lehtë nga një person në tjetrin.

Doktor Ajeti rekomandoi që të shmangen daljet e panevojshme të qytetarëve në ambiente të mbyllura në mënyrë që të mbrohen nga infektimi më gripin.

Higjiena personale, ajrosja e ambientit, ushqyeshmëria e shëndetshme dhe marrja e sasisë së shtuar të lëngjeve kryesisht çajrave, rrit imunitetin tonë respektivisht na bënë më të mbrojtur nga virusi i gripit. Gjithashtu shmangia e daljeve të panevojshme në ambiente të mbyllura më ajër të ndotur ndihmon shumë”, sugjeroi Ajeti.

Shumica e njerëzve që shfaqin simptomat e gripit mund ta trajtojnë veten në shtëpi dhe shpesh nuk kanë nevojë të shohin një mjek. Mirëpo, nëse shfaqni simptomat e gripit dhe jeni në rrezik të komplikimeve, Doktor Ajeti këshillon vizitën te mjeku për t’u trajtuar më tutje.

Merrni sasi të shtuar të lëngjeve, hani shëndetshëm, pemë dhe perime të stinës nëse keni temperaturë përdorni paracetamol dhe/ose ibuprofen, vitamine C dhe nëse simptomat përsistojnë për kohë më të gjatë apo përkeqësohen edhe pas marrjës se terapisë atëherë drejtohuni te Mjeku Familjar për konsultim dhe trajtim”, këshilloi Ajeti.

Vaksinimi kundër gripit stinor në Kosovë ka nisur që nga muaji tetor. Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon, dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim. /Familjajonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë