Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i shoqëruar nga zëvendës-ministri Arsim Berisha ka vizituar sot Qendrën e vaksinimit në Prizren me qëllim të inkurajimit të procesit të vaksinimit kundër COVID-19 dhe gripit sezonal.
Ministri Latifi me tutje ka falënderuar ekipet e vaksinimit për punën që kanë bërë në imunizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 dhe i ka ofruar mbështetjen e plotë të MSh-së ekipeve të vaksinimit për ballafaqimin me COVID-19.
“Jam sot me ju për të ju shprehur falënderimin për punën që po bëni dhe në të njëjtën kohë për t’u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Secili prej nesh që është vaksinuar, kemi për detyrë që të bindim të tjerët për ta bërë këtë. Tash ka filluar edhe dhënia e dozës përforcuese dhe vaksinimi është rruga e duhur për të parandaluar sëmundjen COVID-19 format e rënda të saj dhe shtrimin në spital”, ka thënë Ministri Latifi.
Ai vizitoi po ashtu edhe Qendrat e vaksinimit në Gjakovë e Klinë, ku gjithashtu falënderuar ekipet për punën e bërë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe për vaksinim kundër COVID-19, dhe grupeve të rrezikuara për vaksinim edhe kundër gripit sezonal.