Komisioni i Pavarur i Medieve dhe Autoriteti i Medieve Audiovizive kanë zhvilluar një takim pune sot në Tiranë.
Kryetarja e AMA, Armela Krasniqi dhe kryetari i KPM-së, Xhevat Latifi, folën për çështje me të cilat përballen të dy institucionet që ata drejtojnë.
Në qendër të diskutimeve ishte implementimi i Direktivës 2018/1808 të BE-së që derivon nga angazhimet ndërkombëtare të të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, ku kërkohet angazhim dhe vendimmarrje nga të dy institucionet.
“AMA dhe KPM shkëmbyen informacion për punën e deritanishme në këtë drejtim duke u fokusuar tek mënyra që secili vend do ta implementojë. Direktiva 2018/1808 trajton një sërë çështjesh, të cilat kërkojnë rregullim në median audiovizive dhe aktualisht është implementuar tërësisht pothuajse nga të gjithë vendet e BE-së”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim gjithashtu theksohet se palët u dakorduan për zhvillimin e një takimi rajonal me shtetet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave në implementimin e Direktivës dhe marrjen e praktikave më të mira nga shtetet të cilat kanë avancuar në këtë drejtim.
Në takim u diskutua edhe për draftimin e ligjit të ri për median audiovizive në Kosovë, mbi procesin e digjitalizimit.