Përse mund t’ju duhet testi serologjik për Covid-19?
Ka ende shumë për të mësuar në lidhje me COVID-19, sëmundjen respiratore të shkaktuar nga koronavirusi i ri. Një gjë që ekspertët e dinë me siguri është se simptomat mund të duken si ato të sëmundjeve të tjera, përfshirë gripin. Për shkak të kësaj, së bashku me faktin se testimi nuk ishte gjerësisht i disponueshëm në fillim të pandemisë, disa njerëz nuk u testuan. Konsideroni të kryeni një analizë serologjike të antitrupave nëse keni pasur simptoma të COVID-19 në të shkuarën, ose nëse keni simptoma afatgjata që nuk duket se po kalojnë. Këto mund të përfshijnë lodhje, kollë, probleme me frymëmarrjen, dhimbje koke apo dhimbje të kyçeve.
Si funksionon testi serologjik per covid-19?
Ky test gjaku kontrollon për antitrupa, ose proteina, që i prodhon sistemi juaj imunitar kur keni një infeksion. Nuk mund t’ju tregojë nëse aktualisht keni COVID-19, thjesht ju tregon nëse keni pasur në të kaluarën. Mbani mend se edhe nëse analiza serologjike rezulton pozitive, sërish duhet të merrni masa për të mbrojtur veten nga virusi. Kjo sepse studiuesit nuk e dinë me siguri nëse mund të ri-infektoheni apo jo.
Keni humbur nuhatjen ose shijen?
Nuk mund të nuhasni parfumin tuaj të preferuar ose biskotat që po piqen? Kjo pasi studiuesit kanë zbuluar se thuajse gjysma e njerëzve me COVID-19 humbasin nuhatjen ose shijen, e ndonjëherë duhet pak kohë për t’u rikthyer. Nëse keni kaluar simptoma të tilla, konsideroni kryerjen e testimit serologjik per Covid-19.
Dhimbje gjoksi
Edhe në këtë rast mund të rekomandohet kryerja e një testi serologjik, vecanërisht nëse keni pasur dhimbje gjoksi së bashku me simptoma të tjera të COVID-19 ose nëse i keni ato akoma. Një studim zbuloi se disa njerëz kishin ende dhimbje në gjoks javë pas diagnozës.
Lodhje ekstreme
Kryeni analizën serologjike nëse keni pasur energji të ulët, qoftë edhe shumë kohë pas simptomave që mund të ishin COVID-19. Një studim zbuloi se disa njerëz me COVID-19 ishin ende të lodhur javë më vonë.
Kollë e vazhdueshme
Kjo është një nga simptomat më të zakonshme të COVID-19 që mund t’ju shoqërojë për një kohë të gjatë. Kryeni testin serologjik për COVID-19 nëse keni pasur një kollë për më shumë se 2 muaj (1 muaj për fëmijët).
Vështirësi në frymëmarrje
E quajtur gjithashtu dispne, është një tjetër simptomë e zakonshme e COVID-19. Kryeni analizën nëse keni pasur gulçim për një periudhë, së bashku me simptomat e tjera të COVID-19.
Dhimbje koke dhe simptoma të ngjashme me gripin
COVID-19 dhe gripi i zakonshëm mund të duken shumë të ngjashme. Të dyja fillojnë papritur, dhimbje koke, kollë e vazhdueshme, ndiheni shumë të lodhur, apo keni dhimbje trupi. Gjithashtu mund të keni të vjella apo diarre. Analiza serologjike mund t’ju tregojë nëse ka qenë COVID-19 që i ka shkaktuar këto simptoma.
Keni qenë të sëmurë në fillim të 2020
A keni pasur simtoma të COVID-19 në fillim të 2020? Ekspertët tregojnë që ajo është koha kur virusi filloi të përhapej nëpër botë. Gjithashtu, konsideroni nëse keni udhëtuar gjatë asaj kohe, veçanërisht në vendet me një shpërthim të mëpasshëm të virusit. Megjithatë, mos harroni që nëse e keni pasur virusin, antitrupat mund edhe të jenë zhdukur tashmë.
Keni qenë afër dikujt me COVID-19
COVID-19 përhapet kryesisht nga personi në person, kur dikush i infektuar kollitet, teshtin apo flet. Ju mund ta merrni atë edhe nëse personi i infektuar nuk ka simptoma. Zakonisht përhapet midis njerëzve që janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin (më pak se 2 metër) për 15 minuta apo më gjatë. Konsideroni kryerjen e analizës serologjike nëse keni qenë në kontakt të ngushtë me dikë që është testuar pozitiv për COVID-19.