Varianti Omicron i cili së fundi është paraqitur në disa vende të botës, ka bërë që në Kosovë institucionet shëndetësore të marrin masa të reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19.ADVERTISING
Ndonëse në vendin tonë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin Omicron, Qeveria e ka parë të arsyeshme që të marrë masa parandaluese.
E si rrjedhojë e kësaj, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë marrë një dozë të vaksinës kundër coronavirusit, që ta marrin edhe dozën e dytë për të fituar mbrojtje më të madhe nga ky virus.
“Duke qenë se një numër i qytetarëve pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, nuk shkojnë për të marrë dozën e dytë në periudhën brenda katër javësh (28 ditë pas marrjes së dozës së parë), Ministria e Shëndetësisë, i rikujton kësaj kategorie të qytetarëve se certifikata e tyre me vetëm një dozë do të përdoret si dëshmi vetëm nëse ajo është jo më e vjetër se katër javë apo nëse testi RT-PCR është kryer në 48 orët e fundit krahas marrjes së një doze”, është thënë në njoftimin e Ministrisë.
Në kuadër të kësaj, me vendim të Komitetit për vaksinim të MSH-së, ka rifilluar vaksinimi edhe gjatë vikendit.
Kujtojmë se ditë më parë ministria ka njoftuar se vaksinimi mund të kryhet në cilëndo qendër të vaksinimit dhe pa caktuar terminë, shkruan Telegrafi.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 2 mijë e 777 doza të vaksinës. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.624.584 doza të vaksinës. Deri më sot 765.669 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Qytetarët e Kosovës mund të vaksinohen me vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Kujtojmë se sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga 6 dhjetori qytetarët që kanë vetëm një dozë të vaksinës do të duhet të kenë edhe një test negativ PCR në coronavirus, i cili do të jetë i vlefshëm për 48 orë, në mënyrë që të hyjnë në Kosovë.
Me masat aktuale, hyrja në Kosovë mundësohet me test negativ PCR.
Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë obliguese edhe me masat e reja, ashtu si edhe kufizimi i lëvizjes nga mesnata deri në orën 05:00.
Në 24 orët e fundit janë konfrimuar vetëm 4 raste të reja, kurse në total numri i rasteve aktive me koronavirus është 324.