Infarkti akut i miokardit apo sulmi në zemër ndodh kur një pjesë e muskulit të zemrës nuk merr mjaftueshëm gjak. Mungesa e qarkullimit të gjakut në miokard mund të shkaktojë probleme në zemër që të shpien deri në fatalitet apo edhe zvogëlim të jetëgjatësisë.
I ftuar në emisionin “Takim Virtual me Shëndritin”, kardiologu, Dr. Artan Ahmeti tregoi më shumë rreth sëmundjes së zemrës dhe shkaktarëve që ndikojnë deri te sulmi apo infarkti akut i zemrës.
“Hipertensioni, sëmundja e sheqerit , yndyra e lartë në gjak, konsumimi i duhanit, jeta stresuese dhe jeta pa aktivitet fizik janë disa nga faktorët që shkaktojnë sëmundjen e zemrës duke ndërlidhur këtu edhe faktorët më të rrallë siç janë mosha e shtyer dhe familjarët që vuajnë nga i njejti problem. Kontrolla te mjeku është e domosodshme që këto sëmundje të trajtohen në atë që quhet “trajtim i artë” në mënyrë qëedhe të zvogëlohen gjasat për sulm në zemër”, shtoi ai.
Sipas Ahmetit, simptomat e sulmit në zemër shpeshherë janë të befasishme, të cilat mund të fillojnë me dhimbje të forta të gjoksit.
“ Pacientët që vuajnë nga sëmundjet qëi përmenda më herët mund të kenë ankesa të tilla si dhimbje gjoksi dhe pengesa në frymëmarrje gjatë aktivitetit fizik. Një dhimbje e tillë flet për një dëmtim të enëve të gjakut që mund të shkaktojë fatalitet ose probleme të mëdha, mirëpo jo gjithmonë një dhimbje e tillë mund të shkaktojë infarkt”, tha Dr. Ahmeti
Për dallim me shtetet e tjera, Kosova ka mungesë të rrjetit për trajtimin e infarktit të miokardit. Sipas Ahmetit, në këtë rast Kosova është me fat që qytetet brenda saj ndajnë pak kilometra.
“Ky rrjet është bërë për shkak se koha e trajtimit të sulmit është vendimtare për suksesin e trajtimit të sulmit në zemër, dhe ajo ka një kohë shumë të shkurtër për t’u trajtuar, mirëpo kjo në Kosovë mungon dhe fat ka që qytetet kanë dy orë larg Prishtinës që e bën pak më të lehtë mungesën e këtij rrjeti. E vetmja qendër që merret me trajtimin invaziv të infarktit në zemër është QKUK, në të cilën duhet të drejtohen pacientët sa më shpejt ku edhe bëhet diagnositikimi përmes stendave që janë jetë shpëtuese” tha ai.
Moshat e reja janë ato të cilat po goditen më së shumti nga kjo sëmundje. Ahmeti thotë se kjo sëmundje ka shkaktuar më shumë probleme në zemrën e të rinjve se sa të moshuarve.
“ Sëmundja e miokardit është paramenduar më shumë të ndodhë te pacientat e moshuar, por ditëve të sotme fatkeqësisht kemi edhe pacienta shumë të rinjë, si mosha 40 vjeçare e cila jo rrallëherë shoqërohet me sëmundje akute”, tha Ahmeti.
Virusi Covid-19 nuk la pa i prekur edhe pacientët me sëmundje të zemrës, Dr. Ahmeti tregoi që ka pasur edhe raste kur kjo sëmundje i është shfaqur pacientëve edhe gjatë virusit.
“Kjo pandemi ka ndikuar tek ata me sëmundje të zemrës duke sjellë probleme dhe virus më të rëndë, ndërsa ka pasur edhe raste kur kjo sëmundje është shfaqur edhe te pacientët që nuk kanë vuajtuar më parë nga kjo sëmundje. Stresi i shkaktuar nga virusi ka ndikuar në rritjen e sëmundjeve kardivaskulare”, shtoi ai.
Për pyetjen që iu drejtua atij nga publiku lidhur me përdorimin e aspirinës pas vaksinimit, ai u përgjigj:
“Në qoftë se një pacient nuk ka faktorë risku për ndonjë sëmundje, siç është tromboza, përdorimi i aspirnës është i panevojshëm. Çdo medikament duhet të përdoret me indikacion dhe nuk duhet ta përdorim pa nevojë”, u përgjigj Ahmeti.
Për fund ai ka këshilluar pacientët që t’i largohen veseve të këqija në mënyrë që gjasat për sulm në zemër të jenë më të vogla.