Drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se viti 2022 do të shpallet vit i personave me nevoja të veçanta.
Maliqi bën të ditur se kjo u arrit pas miratimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës.
Ai tutje theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i premtoi më datë 3 dhjetor viti 2022 do të shpallet si vit i personave me nevoja të veçanta.
Postimi i tij i plotë:
Viti 2022, po shpallet Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës!
Jam i lumtur që pas shumë përpjekjeve kjo kërkesë dhe iniciativë e kahmotshme po bëhet realitet, po me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Ishte 1 Marsi 2020, shënimi i ditës Ndërkombëtare të Përdorueseve të Karrocës, kur në prezencë të Kryeministrit dhe ish-Kryeparlamentares, tash Presidentes Vjosa Osmani, pata kërkuar direkt një gjë të tillë, për çka në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës aprovoi rezolutën me të cilën mbështeti propozimin madhor që viti 2022, të shpallet vit i personave me aftësi të kufizuara.
Sivjet, Kryeministri Albin Kurti ishte ai që konfirmoi dhe u zotua se tash më datë 3 Dhjetor edhe zyrtarisht do të bëjë shpalljen e vitit 2022, vit i personave me aftësi të kufizuara. Kjo gjë u miratua gjatë mbledhjes së ditës së djeshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Me shpalljen e vitit 2022, Ministritë, Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe shoqëria në përgjthësi synojnë të mobilizojnë resurset e tyre për të trasuar rrugën për një Kosovë pa pengesa dhe për të fuqizuar personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ata të mund të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë.
Objektiv kryesor gjatë vitit të ardhshëm pa dyshim do të jetë që Kosova të përparojë drejt garantimit të të drejtave për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, pavarësisht gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë ose besimit, moshës apo orientimit seksual.
Falënderoj të gjithë akterët që mbështetën këtë iniciativë, përfshirë organizatat e personave me aftësi të kufizuara, deputetët, kolegët, bashkëpunëtorët, Qeverinë, Zyrën për Qeverisje të mirë dhe ministritë që morën pjesë në këtë proces.
Sigurisht se do të mbeten ende shumë sfida për të avancuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë, por e rëndësishme është që bashkërisht kemi nisur diçka të mbarë, me moton ‘’Mundësi të barabarta për të gjithë!’’.
Misioni vazhdon…