Normalizimi i situatës me pandeminë COVID-19, bëri që gjatë tetorit dhe fillimit të nëntorit interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar të ishte më i ulët, përderisa Ministria e Shëndetësisë po vazhdon ta lehtësojë procedurën për vaksinim.
Mundësia që qytetarët të vaksinohen pa termin, shpërndarja e ekipeve mobile në qendra tregtare dhe aprovimi për të lejuar vaksinimin e fëmijëve nga 12 deri në 15 vjeç janë tri vendimet e marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë javës së parë të tetorit.
Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim.
Prandaj, është marrë vendim që qytetarët duke filluar nga e premtja të mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht.
“Qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ndërkaq të enjten, MSH ka bërë të ditur se do të fillojë dhënia e vaksinës antiCOVID-19 edhe në qendrën tregtare Albi Mall për të gjithë të interesuarit që ende nuk e kanë marrë vaksinën.
“Nga 4 nëntori, duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 20:00 në qendrën tregtare Albi Mall do të nisë vaksinimi antiCOVID-19”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.
MSh në njoftimin e bërë për media thotë se, vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor.