Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Fjalët e pista dhe efektet psikologjike të tyre

Shkroi: Rudina Koromani, psikologe klinike

Fjalët e pista fshihen, censurohen, nuk u thuhen fëmijëve, por të gjithë e dimë që ekzistojnë e madje përdoren nga shumë individë.

Konsiderohen fjalë të pista ato fjalë që nuk pranohen hapur socialisht e që  quhen të papërshtatshme, të pahijshme, vulgare, tabu, toksike, fjalët seksiste, sharjet, mallkimet etj. Gjithësecili nga ne e ka thënë qoftë dhe një herë të vetme një fjalë tabu… kur ngasim makinën, kur jemi në tension apo në mes të një debati – fjalët e pahijshme dalin me shpejtësinë e dritës nga goja…  Kemi familjarë, miq përreth që flasin dhe i kanë në fjalorin e përditshmëm  këto fjalë të ndaluara, fjalë që jo gjithkush i thotë ose kanë kujdes t’i shprehin në disa qarqe të caktuara shoqërore apo publikisht. Disa ndihen shumë keq teksa i dëgjojnë këto fjalë e natyrshëm  lind pyetja : Duhen thënë fjalët e pista?

Fjalët vulgare bëjnë pjesë në gjuhën konotative / një mënyrë simbolike dhe figurative e shprehjes së informacionit (Jay dhe Janschewitz, 2008), duke përfaqësuar një tipar gati universal të gjuhës (Lan Lancker dhe Cummings, 1999).

Sipas studimeve fjalët e pista kanë një valencë të lartë emocionale, ndihmojnë në shfryrjen e emocioneve negative duke ndihmuar në nxjerrjen jashtë të këtyre emocioneve të forta si inati, frustrimi apo dhimbja. Hulumtimet kanë treguar se përsëritja e fjalëve të pista mund të jetë një mënyrë efektive për të rritur tolerancën ndaj dhimbjes fizike (Stephens et al., 2009; Stephens dhe Umland, 2011; Robertson et al., 2017) dhe në uljen e dhimbjes sociale që shoqërohet me ostracizmin/ përjashtimin nga shoqëria të një grupi (Philipp dhe Lombardo, 2017). Në librin e saj “ Swearing is good for you: the amaizing science of bad language”, Sharjet të bëjnë mirë: Shkenca e mahnitshme e gjuhës së keqe”, studjuesja angleze e fushës së inteligjencës  artificiale, Emma Byrne, shkruan se njerëzit me gjendje neurologjike të rënduar , humbasin aftësinë për të folur fjalë të rregullta por nuk e humbasin aftësinë për të të sharë. Sipas studjueses sharjet ofrojnë çlirim emocional dhe  përmirësojë produktivitetin. “Ne thjesht duhet t’i japim respektin e ndyrë që Meriton” shprehet ajo.

Një në pesë persona del nga dhoma gjumit pasi ka dëgjuar fjalë të pista nga partneri/rja

Jo të gjithë personat mund t’i përdorin fjalët e pista. Disa syresh mund të ndjehen të turpëruar teksa i dëgjojnë këto fjalë nga kolegë te punës, miqtë apo partneri.

Pse thuhen fjalët e pista?

Kur fjalët na dështojnë, ne mallkojmë. Hipoteza e “varfërisë së fjalorit” konkludon se për këtë  arsye fjalët vulgare janë  “shenja të një fjalori të dobët”, rezultat i mungesës së arsimimit, përtacisë apo impulsivitetit. Në përputhje me këtë ide, ne priremi t’i gjykojmë vulgarët mjaft ashpër, duke i vlerësuar ata si më të ulët në statusin socio-intelektual, më pak efektiv në punën e tyre dhe më pak miqësorë. Përtej besueshmërisë së vlefshmërisë së studimeve, kjo pikëpamje nuk po mbështet me kërkimet e fundit në gjuhësi (Marist College & Massachusetts College of Liberal Arts, 2016). Rrjedhshmëria me fjalë tabu mund të jetë një shenjë e rrjedhshmërisë së përgjithshme verbale. Ata që janë jashtëzakonisht vulgarë mund të jenë jashtëzakonisht elokuentë dhe inteligjentë.

Fjalët e pahijshme u japin ngjyrë emocioneve tona duke amplifikuar valencën afektive  si psh “jam i nevrikosur” nuk arrin të shprehi gjëndjen e plotë emocionale të një burri që i është dashur të durojë komunikimin stresues të një punonjëse banke ndërkohë që shprehja  “më çau  tr..pin” e ndihmon të shprehi më qartë e të shkarkojë njëkohësisht gjëndjen e tensionuar që ka ndjerë në atë situatë.

Fjalori vulgar i kohëravve moderne

Me zhvillimin e shoqërive njerëzore edhe fjalori i fjalëve të pista është zgjeruar së tepërmi dekadat e fundit. Disa fjalë e kanë kaluar doganën shoqërore duke hyrë në fjalorin e përditshëm me kuptimet e tyre jo parësore.  Deri në shekullin e kaluar, fjalë si “seks” “dashnor” ishin tabu e fjalë të ndaluara, të kundërshtuara e të pahijshme për tu thënë publikisht. Sot fjalori i zakonshëm i personave publikë, adoleshentëve, këngëtarëve Rap apo dhe adultëve është i mbushur plot me këto fjalë. Megjithatë ende disa kultura joperëndimore vazhdojnë t’i kundërshtojnë përdorimin e fjalëve të tilla. Thenia e fjalëve vulgare tërheq vëmëndjen e individëve e në shumë raste shkaton humor, çka ka bërë dhe rritjen e popullaritetit të përdorimit të tyre.

 Gjermania, një përjashtim

 Lidhur me përdorimin e fjalëve të pista Gjermania është një rast i veçantë kulturor në Europë. Ka një leksik vulgar shumë të varfër e jo vetëm. Ndryshe nga kulturat e tjera si Italia, Anglia, Amerika e përfshirë dhe vëndin tonë, fjalët e pista u referohen më shumë proçeseve dhe organeve të jashtqitjeve se proçeseve dhe organeve të seksit. Gjermanët kanë në fjalorin e tyre vetëm 120 fjalë të pista krahasuar me fjalorin shumëngjyrësh Italian prej 300 fjalësh (por të cilat bëhen mijëra nëse konsideron dhe metaforat me karakter seksual). Mallkimet nuk ekzistojnë në Gjermani. Nëse do të nervozosh një Italian apo një shqiptar, një frazë me fjalët …motrën apo …nënën dhe e shfazon …ndërkohë nuk mund të arrish këtë efekt nëse ja thua një gjermani – shprehet gjuhëtari i njohur gjerman Hans Martin Gauger, i cili në librin e tij “ Das Feuchte & Das Schmutzige” flet më hollësisht mbi këtë fenomen e për më tepër mbi veçantinë e preferencave të përdorimit të fjalorit të pahijshëm.

Shembull: Për të përdorur një metaforë psikoanalitike , vëndet latine dhe ato anglosaksone përdorin termin faza fallike ndërsa  gjermanët përdorin termin faza anale.

Përfundime

Thënia e fjalëve të pahijshme ndihmon në disa situata stresuese emocionale apo të një dhimbjeje fizike, duke lehtësuar shprehjen e zemërimit, zhgënjimit dhe tensionit  përmes lënies lirë të vetes në një shprehi pak më të kontrolluar. Funksioni i lëshimit, në fakt, është karakteristika kryesore e përdorimit të fjalëve të pista, e cila ka një efekt çlirues të barabartë me goditjen e një dere ose hedhjen e një sendi.

Përdorimi i fjalëve të pista ka rëndësi çliruese  për disa persona si forma individuale për të shfryrë tensionin e tyre të brendshëm. Konsiderohet si një proces i pavetëdijshëm për disa. Përdorimi i vetëdijshëm i tyre konsiderohet i shëndetshëm përsa kohë thënia e tyre është e kufizuar deri në shfryrjen e një tensioni të brendshëm. Por kur thënia e tyre bëhet pjesë e fjalorit të përditshëm duhet të kemi parasysh që të gjejmë burimet e tensioneve që na shqetësojnë, të mundohemi t’i mbajmë në kontroll. Konsiderohen jo të pranueshme kur fjalët e pista përdoren vend e pa vend e kundër një personi tjetër, duke menduar se është e pakëndshme, qoftë për personin që i merr, qoftë për ata që i dëgjojnë. Nëse thua fjalë të rënda kundër dikujt duhet dhe të përgatiesh t’i marrësh mbrapsht. Por hedhje-pritja e tyre rezulton gjithmonë e pakëndshme.

Nëse arrijmë t’i nxjerrim të koduara, të kontrolluara, të fshehura pas një ironie e sarkazme, fuqia e tyre zbutet e pranueshmëria e tyre do të ishte më e madhe. Gjithsesi thënia e fjalëve të pista është një formë e të nxjerrit jashtë e një tensioni të brendshëm. Nëse do llogarisnim riskun e dëmit; më mirë një fjalë e pistë se sa thyerja e tavolinës së zyrës…  Vërtet jetojmë në kohëra të një lirshmërie të madhe mendimi e sjelljeje, por kjo gjë nuk duhet të na bëjë të mendojmë se nuk duhet të përdorim arsyetimin, këtë aset të çmuar që na dallon nga speciet e tjera.

Youtube

Arkiva

Kategoritë