Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal.
Përmes një komunikate për medie, Ministria e Shëndetësisë u rikujton qytetarëve dhe publikut se pas përmbushjes së planit pesë javor që të vaksinohet edhe ditëve të vikendit dhe me intensifikimin e punës së ekipeve mobile për vaksinim kundër COVID-19, prej tre javësh, qendrat e vaksinimit punojnë vetëm gjatë ditëve të punës.
“Rrjedhimisht, duke qenë kështu, kanë rënë terminet e paracaktuara për vaksinim kundër COVID-19 dhe kundër Gripit sezonal gjatë ditëve të vikendit në qendrat statike”, thuhët në komunikatë.
Në komunikatë thuhet tutje se vaksinimi i një numri të konsiderueshëm të qytetarëve me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës kundër COVID-19 dhe situata epidemiologjike më e qetë ka ndikuar që edhe kërkesat për vaksinim gjatë muajit tetor të jenë në trend të ulët, ndërsa ekipet e vaksinimit gjatë pesë ditëve të punës ja kanë dalë që pa asnjë problem t’i përgjigjen çdo kërkese për vaksinim.
“Gjithashtu, duke qenë që gjatë javës që po mbetet pas ka filluar vaksinim edhe kundër Gripit sezonal, pas arritjes në Kosovë të 140.000 vaksinave kundër gripit sezonal, vaksinimi i kategorive që vaksinohen më këtë vaksinë bëhet gjatë pesë ditëve të javës në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në disa komuna, por edhe në qendrat ku bëhet aktualisht vaksinimi kundër COVID-19, varësisht prej asaj se ku kanë vendosur komunat që të bëhet vaksinimi”, thuhet në komunikatë.
Teksa, Ministria e Shëndetësisë njofton se numri i vaksinave kundër COVID-19, ashtu edhe kundër gripit sezonal është i mjaftueshëm, prandaj inkurajohen qytetarët që duhet vaksinuar që t’i shfrytëzojnë oraret e përcaktuara gjatë pesë ditëve të punës brenda javës dhe të vaksinohen.