ARTC, në kuadër të projektit për ruajtjen e ambientit të pastër, të përkrahur nga programi i CDF-së, “Human Rights Activism”, ka zhvilluar dy fushata vetëdijësuese.
Njëra nga fushatat e realizuara ka qenë e fokusuar te gurëthyesit, saktësisht tek efektet negative që këta të fundit kanë në mjedis.
Përmes një videoje të realizuar, ARTC shpjegon ndotjet që gurëthyesit i shkaktojnë ajrit, ujërave nëntokësore dhe mjedisit përreth. Sipas asaj që deklaron vetë kjo organizatë për “Familja Jonë”, janë identifikuar 3 mijë e 885 gurëthyes deri më tani në Kosovë, ku 1 mijë e 290 prej tyre janë ilegalë.
Duke qenë se secili nga këta gurëthyes zotëron një hapësirë prej 4-5 hektarë tokë, ata theksojnë se dëmi i shkaktuar nga ta është enorm. Përveç kësaj, ata evidentojnë se disa nga këta gurëthyes nuk kanë dokumentacion të plotë për t’iu mundësuar punimi, ndërsa disa të tjerë, pas kryerjes së punimeve, hapësirën nuk e kthejnë në gjendjen e mëparshme, por e lënë ashtu siç është.
Duke i parë dëmët e mëdha të shkaktuara ndaj mjedisit, ATRC, përmes videos së realizuar, qëllim primar ka vetëdijësimin e popullit, veçmas të atyre që jetojnë në zona rurale, që të jenë më të zëshëm në këtë drejtim, pasi efektet negative, si mungesa e ujit, ndotja e ujit dhe ndotja e ajrit i vuajnë pikërisht ata. Gjatë verës, kur pluhuri është në sasi të madhe, sipas ATRC, dëmtohen tokat bujqësore dhe ujërat nëntokësore e sipërfaqësore.
Videoja ka për synim gjithashtu që t’i bëjë presion Qeverisë kur bëhet fjalë për lejimin e punimeve nga këta operatorë ekonomikë, si dhe monitorimin sistematik nëse këta të fundit janë duke punuar në përputhje me ligjin. Meqenëse shumë gurëthyes operojnë pa leje nëpër hapësira të ndryshme, ndotja e ambientit, sipas tyre, bëhet është shumë e madhe dhe, për rrjedhojë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësnor duhet të veprojë, nëse është nevoja, edhe duke i gjobitur. /familjajone
Linku i videos: https://www.youtube.com/watch?v=YLkQjhalJ14