Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë lëshuar pasaportën e parë “X” për një person që nuk e njeh veten në zgjedhjen tradicionale “mashkull” ose “femër”, në përputhje me premtimin e presidentit amerikan, Joe Biden për të marrë më shumë parasysh të drejtat e pakicave seksuale.
“Departamenti i Shtetit ka “shtuar një shenjë X për gjininë jo-binare, për njerëzit interseks dhe për të gjithë ata që nuk mund të identifikohen brenda kritereve gjinore të propozuara deri më tani”, tha zëdhënësi i Biden, Ned Price.
“Mundësia e re do t’u ofrohet të gjithë aplikantëve për lëshimin e pasaportave nga fillimi i vitit 2022”, tha Price, duke vënë në dukje angazhimin e diplomacisë amerikane për “promovimin e lirive, dinjitetit dhe barazisë së të gjithë njerëzve”, raporton reuters.
Të paktën njëmbëdhjetë vende të tjera në botë, duke përfshirë Kanadanë, Gjermaninë dhe Argjentinën, por edhe Indinë dhe Pakistanin, ofrojnë mundësinë e zgjedhjes së “X” ose “të tjera” në pasaportat e tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i lehtësoi rregullat në qershor, kur lejoi qytetarët amerikanë të zgjidhnin gjininë e tyre në seksionet e dhëna në pasaportat e tyre.
Më parë, personat që dëshironin të shënonin një gjini që nuk përputhej me të dhënat e regjistruara në regjistrat e lindjes duhej të dorëzonin një certifikatë mjekësore.