Megjithëse pritet që rastet me COVID-19 të rriten gjatë ditëve në vijim, nuk paralajmërohet që situata të jetë shumë e rëndë siç ishte disa muaj më parë.
Kështu ka thënë për Telegrafin, infektologu Hamdi Ramadani i cili theksoi se gjatë tubimeve që kanë mbajtur partitë politike në fushatë zgjedhore ka pasur raste kur nuk është respektuar distanca dhe nuk janë bartur maskat, prandaj siç tha ai mund të ketë rritje të rasteve gjatë ditëve në vijim.
“Tubimet gjatë fushatës, i kemi parë, kemi qenë dëshmitarë që ishin tubime bukur të mëdha, maskat nuk përdoreshin, higjiena ka qenë larg respektimit siç thuhet në udhëzues. Ora policore është respektuar në një masë. Këto tubime është e mundur që në një kohë, brenda disa ditësh e javësh mund të ndikojë që infeksioni të ketë rritje, sepse nuk e kemi numrin e nevojshëm të vaksinimit në masë”, tha Ramadani.
Infektologu, Hamdi Ramadani tha për Telegrafin se disa nga masat mund të relaksohen, por duhet respektuar shumë distanca dhe maskat duhet të barten.
“Masat e gastronomisë e orës policore mund të relaksohen pak, por maskat e distanca duhet me patjetër të respektohen”, tha Ramadani.
Ai tha se moshat e reja ende nuk janë vaksinuar me vaksinën antiCOVID, gjë që mund të ndikojë gjithashtu në rrije të rasteve.
“Mosha para 18 vjeç nuk është ende e mbrojtur me vaksinim. Kemi raste simbolike të të vaksinuarve në këtë moshë. Edhe ky është një grumbull i madh i personave që mund të takohen me virusin dhe mundësia e zgjatjes e rritjes së infeksionit është e mundshme”, tha Ramadani.
Sipas Ramadanit, nëse do të kishte interesim më të madh të qytetarëve për vaksinim, ka mundësi të arrihet edhe 70 për qind e vaksinimit në Kosovë.
Ai e sheh me shumë pozitivitet mundësinë që qytetarët të vaksinohen edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe sipas tij do të duhej që kjo mundësi tu jepej edhe qyteteve tjera, e ndoshta edhe fshatrave.