Raporti i KLSH për menaxhimin e pandemisë në Shqipëri hedh dritë mbi një seri shkeljesh nga institucionet shtetërore në vend, të cilat nuk ia dolën të veprojnë në kohë, të mbrojnë shëndetin dhe financat e qytetarëve, si dhe në shumë raste dolën jashtë kornizave ligjore.
Gjetjet kryesore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk u koordinua me Planin Kombëtar të Emergjencave Civile për menaxhimin e pandemisë.
Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2016-2020 i munguan planet konkrete të veprimi në nivel strategjik dhe operativ, objektiva dhe përshtatja për pandeminë.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, nuk përcaktohet si strukturë kryesore përgjegjëse për shëndetin publik.
Mjekët e familjes nuk janë angazhuar paralelisht me Urgjencën Kombëtare Mjekësore.
Rregullorja e brendshme e qendrave shëndetësore nuk paraqit në drejtorinë rajonale brenda tre muajve.
Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e laboratorëve mjekësorë nuk është rishikuar bazuar në ndryshimet ligjore në vijim.
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit organi që akrediton laboratorë testues, mjekësorë dhe kalibrues është përjashtuar nga e drejta e saj ligjore, pasi kompetencat iu morën nga Komiteti i Ekspertëve dhe MSHMS-ja, ka duke cenuar vërtetësinë e analizave laboratorike për Covid-19. KLSH sugjeron riakreditimin e laboratorëve jopublikë për Covid-19, me pjesëmarrjen e DPA-së.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nuk kanë hartuar udhëzimin e përbashkët për kriteret dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të mbledhura nga tarifat për procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor.
Shkëmbimet e informacioneve zyrtare, brenda institucioneve të varësisë, për pajisjen me mjetet e diagnostikimit, tamponët etj, janë kryer elektronikisht, me email, pa një dokument zyrtar të firmosur nga eprorët përkatës dhe bazuar në njoftimet e rastit sipas nevojave. Kjo gjë i është lënë rastësisë dhe është kryer në kundërshtim me lëvizjen e dokumenteve zyrtare.
Programi Kombëtar i Imunizimit nuk është rishikuar nga MSHMS për të përmirësuar elementët e tij për sistemin në kuadër të COVID-19.
Vonesat në kohë lidhur me sistemin e lajmërimit mbi situatën shëndetësore vunë në rrezik jetën e qytetarëve por edhe stafeve mjekësore.
Rritja e numrit të kërkesave për testim, mosfunksionimi i spitaleve dhe laboratorëve rajonalë u shoqëruan me rritje të kohës së pritjes së qytetarëve nga kryerja e tamponit deri në marrjen e përgjigjes nga laboratori i virologjisë. Si pasojë u rrit, si numri i pacientëve që trajtoheshin me antibiotikë pa u konfirmuar të infektuar me COVID-19, ashtu edhe i atyre që filluan trajtimin vonë në pritje të rezultateve të testit.
Dalja me vonesë nga koha e shfaqjes së pandemisë e urdhrit për rimbursimin e pacientëve Covid dhe mos informimi i tyre me mjetet e duhura të informacionit nga mjekët e familjes në qendrat e shëndetësore, jo vetëm nuk ndihmuan në ngritjen e vetëdijes qytetare për ofrimin falas të këtij shërbimi, si një e mirë publike, por sollën nga ana tjetër një trajtim jo human dhe social të pacientëve, gjë e konfirmuar nga intervistat me qytetarë.
Në mungesë të planit për emergjencat civile, koordinuar me Planin Kombëtar të Emergjencës Shëndetësore, institucionet e kujdesit shëndetësor, publike ose private, nuk kanë bashkëpunuar dhe vepruar sipas përcaktimeve të bëra në këto plane, për të garantuar, ofruar dhe mbështetur qytetarët për një shërbim eficient, të shpejtë dhe të sigurt.
Mosnxjerrja nga MSHMS e një urdhri administrativ për ofrimin falas ose rimbursim të pjesshëm të vizitave dhe mjekimeve në institucionet shëndetësore jopublike, shkaktoi një kosto të lartë për qytetarët dhe një perceptim të gabuar për sistemin shëndetësor.
Për njohjen e të drejtës së 8 laboratorëve jopublikë për kryerjen e testit RT-PCR për
SARS-COV-2, nuk ka referencë ligjore të cituar në Urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 437, datë 23.07.2020, rrjedhimisht kjo vendimmarrje nga MSHMS është e pa bazuar dhe në kundërshtim me Ligjin.
Njohja e të drejtës institucioneve shëndetësore jopublike për kryerjen e testit RT-PCR për SARS- COVID-2 në kohë pandemie, përveç pakënaqësisë dhe kostos së lartë që shkaktoi te qytetarët, rezultat një menaxhimi të ulët, nga ana tjetër tregoi dhe një sistem shëndetësor të dobët, mungesë kapacitetesh spitalore rajonale publike dhe financiare.
Nga auditimi u konstatua mungesa e një analize lidhur me politikat në nivel makro mbi menaxhimin e aspektit financiar të situatës pandemike, por operim rast pas rasti. Mungesë e një plan masash për rimëkëmbien e ekonomisë post COVID–19. Deri tani nuk ka akoma ndonjë plan të plotë konkret apo qoftë edhe draft, disamujor apo disavjeçar për rimëkëmbjen ekonomike
Nga auditimi u konstatua mungesa e një analize konkrete mbi ndikimin e pandemisë në investimet publike dhe private nga pandemia, efektin që sjell në nivel makro kjo “prekje”, si dhe mungesa e një plan orientimi për këto investime në favor të zbritjes së efekteve negative të pandemisë./Euronews Albania/