Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Kanceri i gjirit – Sfidё e epidemiologjisë bashkëkohore

Me përjashtim të kancerit të lëkurës, kanceri i gjirit është një ndër malignomat më të shpeshta te gratë, dhe është shkaktari i dytë i vdekjes nga kanceri. Çdo grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit, dhe rreziku rritet me moshë.

Prof. Ass.Dr Emine Disha
Spec. Radio-onkologe & ultrasoniste
tel. 044 193 445

Edhe përkundër përparimit te diagnostikimit dhe terapisë, kanceri i gjirit është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 40-50 vjet. Kanceri i gjirit është problem i rëndësishëm shëndetësor edhe i popullatës së Kosovës.

Zvogëlimi i vdekshmёrisё mund tё arrihet me edukimin shëndetësor të popullsisë dhe me programin e zbulimit te hershëm të kancerit te gjirit, me ç’rast zbulohen tumoret e vegjël dhe të lokalizuar në stadin paraklinik të shërueshëm të sëmundjes.

Në diagnostikimin e kancerit të gjirit ka rëndësi vetkontrollimi i gjirit që duhet të bëhet një herë në muaj. Para dhe gjatë menstruacionit gjinjtë janë zakonisht të shtrënguara dhe me dhimbje për ç’ arsye më së miri është që gjinjtë të kontrollohen pas menstruacionit. Kjo shprehi nevojitet të përsëritet tërë jetën.

Vetëkontrollimi bëhet në pozitë të shtrirë dhe në këmbë. Vetëkontrollimin duhet filluar shumë herët menjëherë pas moshës së pubertetit në mes të moshës 15-20 vjeçare.

Edhepse kanceri i gjirit është shumë i rrallë në këtë moshë, vetëkontrollimet janë të nevojshme të bëhen sepse në këtë moshë mund të lajmërohen ndërrimet beninje siç janë fibroadenomat që duhet operuar ose duhet mbajtur nën kontroll.

Kanceri i gjirit ekziston 8-10 vite para se te zbulohet me palpim ose me mamografi. Mamografia e zbulon kancerin e gjirit mesatarisht 1,7 vjet para se gruaja me vetëkontroll mund ta palpon tumorin, andaj te gratë më të vjetra se 40 vjet, me aplikimin e mamografisë mund tё prevenohet 15-30% e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit.

Te gratë me simptome të gjirit ose te gratë që gjatë ekzaminimit klinik palpohet ndonjë formacion, duhet të aplikohen metodat imazherike, si ultrazëri ose mamografia ose të dy metodat.

Cila metodë imazherike do të aplikohet si metodë primare varet nga mosha. Rekomandohet që te gratë më të reja se 35 vjet si metodë imazherike primare të jetë ultrazëri, kurse te gratë më të vjetra se 35 vjet, mamografia. Ekzistojne dy tipe të mamografisë: skrining mamografia dhe mamografia diagnostikuese.

Mamografia skrininge është ekzaminim i gjirit me rreze x te gratë që nuk kanë simptome. Qëllimi i skrining mamografisë është zbulimi i kancerit kur është ende me madhësi aq të vogël saqë nuk mund të zbulohet me vetëkontroll ose me ekzaminim klinik. Detektimi i hershëm i kancerit me skrining mamografi, mundëson trajtim të suksesshëm.

Skrining mamografia rekomandohet çdo vit te gratë mbi moshën 40 vjeçare. Në disa raste skrining mamografia rekomandohet para moshës 40 vjeçare, sidomos te gratë me anamnezë familjare pozitive.

Mamografia diagnostike zakonisht përdoret për identifikimin e kancerit tё mundshëm nё gjinj tek gratë që kanë shenja ose simptome të sëmundjes. Këto shenja ose simptome përfshijnë: nodusin palpabil në gjinj, sekrecion nga gjiri, retrakcion i mamilles, retrakcion i lëkurës së gjirit ose ndonjë ndryshim tjetër në gjinj.

Mamografia native bëhet në dy drejtime: kraniokaudale dhe medio-laterale.Gjatë fotografimit gjiri komprimohet me kompresor plastik me ç’rast i zvogëlohet trashësia e gjiri.

Për shkak të topografisë dhe lokalizimit të ndërrimeve në gjinj është e nevojshme që gjiri të fotografohet në dy drejtime, sepse fotografimi në një drejtim nuk e përfshinë në tërësi indin e gjirit. Projeksioni kraniokaudal nuk mund të tregojë zgjatimin aksillar ku shpeshherë lokalizohet kanceri i gjirit. Te gratë me premenopauzë, mamografia duhet të bëhet menjëherë pas ciklit menstrual.

Te gratë e reja dhe te gratë me gjinj denze ultrazëri është superior ndaj mamografisë si dhe diferencimi i tumoreve solide dhe cisteve është më i lehtë me ultrazë.

Ultrazëri preferohet të bëhet te: femrat në moshë të re ku parenkima gjëndërore është mirë i zhvilluar; te gratë që nuk kanë lindur; gratë në fazën e laktacionit; gratë shtatzëna; gratë në menopauzë që marrin terapi plotësuese hormonale, ku nën ndikimin e hormoneve, parenkima gjëndërore bëhet më i theksuar.

Senzitiviteti dhe specificiteti i ultrazërit ose mamografisë është më i lartë nëse ultrazëri dhe mamografia kombinohen së bashku. Çdo ndërrim suspekt në gjinj duhet ta verifikojmë me FNA biopsi, që numri i biopsive të panevojshme të zvogëlohet.

Përveç kësaj, një numër i karcinomave nuk mund të zbulohen me mamografi; 10-25% të karcinomave palpabile të gjirit nuk vërehen në mamografi.

Faktorët e rrezikut te kanceri i gjirit janë: anamneza familjare pozitive, faktorët reproduktiv duke përfshirë lindjen e parë në moshë të vonshme, gratë që nuk kanë lindur, menarhea e hershme, menopauza e vonshme, përdorimi i terapisë kontraceptive në moshë të re dhe terapisë plotësuese hormonale në menopauzë, në kombinim me faktorët tjerë të rrezikut, si eksponimi rrezatimit jonizues, obeziteti në menopauzë, stresi, pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit.

Mbijetesa e grave të mjekuara varet nga shkalla e zgjerimit te sëmundjes me rastin e vënies së diagnozës, mosha dhe modalitetet e mjekimit. Kur kanceri diagnostikohet nё stadin e lokalizuar, mbijetesa pesëvjeçare arrin deri 96%, kurse te sëmundja e diseminuar 21% (American Cancer Society).

Prevenimi i kancerit tё gjirit nënkupton aplikimin e masave shëndetësore me qëllim të eksponimit sa më të vogël ose largimit tё plotë tё rrezikut, me aplikimin e mënyrës së shëndoshë të jetesës siç janë: mospirja e duhanit, ushqimi i rregullt, aktiviteti fizik, mbajtja e peshës normale te trupit, moskonsumimi i alkoolit, kontrollimi i stresit, largimi i eksponimit të tepërt ndaj burimeve të rrezatimit dhe diellit etj. si dhe me kontrollim të grave të rrezikuara duke aplikuar masat specifike të kujdesit shёndetёsor.

/Telegrafi/

Youtube

Arkiva

Kategoritë