Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top

Ass.Dr.Sci. Visar Disha,
Specialist i Protetikes Stomatologjike
Specialist i Ortodoncisë dhe Ortopedisë së Nofullave

Ndonjëherë fillon me një kafshim të ndonjë ëmbëlsire të fortë, apo me ndonjë dëmtim aksidental të dhëmbit, ose thjesht prishje të dhëmbit, por gjithmonë duket se arrijmë tek një gjë: të kemi nevojë për një kurorë për ta mbrojtur dhëmbin. Shumë pacientë përballen me këtë vendim çdo ditë dhe duhet të zgjedhin nga shumë opsione.

Punimet nga metal porcelani më herët ishin opsioni i vetëm në dispozicion për pacientët që donin të përmirësonin pamjen e dhëmbëve të tyre. Fatmirësisht, stomatologjia moderne sot ju ofron pacientëve një alternativë relativisht të re, punimet protetikore nga zirkoni.

Pse punimet protetikore nga zirkoni janë më të mira se punimet prej metal-porcelani?

Estetika: Një ndër përparësitë të kurorave nga zirkoni është mungesa e metalit në kurorë, gjë që i bënë ato estetikisht më të këndshme.

Për shkak të mungesës së metalit, zirkoni lejon transmetimin dhe reflektimin e dritës ashtu siç bëjnë dhe dhëmbët tanë natyral.

Kurora nga metal-porcelani nuk lejon që drita të kalojë duke ndikuar negativisht në pamjen estetike. Një çështje tjetër që kemi parë me kurorat metal-porcelan është gjatë kohës kur mishrat e dhëmbëve tërhiqen duke lënë të dukshme vijën e zezë nga skaji i kurorës së metal-porcelanit. Meqë punimet nga zirkoni janë pa metal, ato nuk do të shkaktojnë probleme të tilla.

Fortësia: Një nga avantazhet më të mëdha të zirkonit është forca dhe qëndrueshmëria e tij. Konsideroni se sa forcë ushtrojnë dhëmbët tuaj të pasmë në ushqimin që përtypni. Kurorat nga zirkoni përballojnë ngarkesat më të rënda të përtypjes dhe kështu ato mund të vendosen në mënyrë të sigurt në çdo dhëmb, pavarësisht nga vendndodhja e tyre në gojë: përpara apo prapa.

Gjithashtu, për shkak se zirkoni është aq i fortë, një specialist i protetikës nuk do të duhet ta gërryej aq shumë dhëmbin tuaj, duke e kursyer dhëmbin tuaj.

Funksioni: Ne mund të zgjedhim kurorën e zirkonit për dhëmbët e pasmë dhe të përparmë. Kurora nga zirkoni mund të përballojë forcën e rëndë të përtypjes së dhëmbëve të pasmë dhe poashtu të dhëmbëve të përparmë. Pacienti me kurora nga zirkoni do të këtë një estetikë më të lartë në krahasim me kurorat nga metal-porcelani për shkak të mungesës së metalit.

Bio-kompatibiliteti: Kurora e zirkonit nuk përfshin metal kështu që nuk shkakton ndonjë alergji ose inflamim siç mund të jetë rasti me kurorat nga metal-porcelani. Kurorat nga zirkoni janë krejtësisht të padëmshme dhe biokompatibile me mishrat e dhëmbëve përreth.

Kurora nga zirkoni nuk shkakton prishjen e dhëmbit tek i cili vendoset në krahasim me kurorën nga metal porcelani te i cili ky problem mund të vërehet ndonjëherë.

Kurorat nga zirkoni janë rezistente ndaj të nxehtit dhe të ftohtit, gjë që zvogëlon mbindjeshmërinë e dhëmbëve.

Qëndrueshmëria: Për shkak të qëndrueshmërisë dhe forcës së tyre të lartë, punimet nga zirkoni në përgjithësi zgjasin më shumë se ato prej metal-porcelani.

Për dallim nga kurorat metal-porcelan, kurorat nga zirkoni nuk dëmtojnë dhëmbët ngjitur për shkak të pjesës së jashtme të tyre që është më e lëmuar.

Mirëmbajtja: Kurora e zirkonit është veçanërisht efektive në zvogëlimin e gjasave të grumbullimit të pllakut dental dhe gurit sepse sipërfaqja e saj është e lëmuar mjaftueshëm për të penguar akumulimin e të dyjave.

Llojet e kurorave të zirkonit

Opsionet për kurorat e zirkonit përfshijnë:

▪ Zirkonin e plotë “solid”,
▪ Zirkonin me translucencë të lartë (high translucence-HT), dhe
▪ Zirkonin e shtresëzuar.

Zirkoni solid është monolitik dhe është materiali më i fortë në dispozicion. Veçanërisht është i mirë për pacientët me probleme të shtrëngimit të dhëmbëve dhe është më i përshtatshëm për kurorat dhe urat e pasme.

Zirkoni “HT” është bërë nga një material më i fortë se ai i punimeve nga metal-porcelani, dhe ka një tejdukshmëri natyrore dhe estetikë të shkëlqyer. Indikohet të përdoret veçanërisht për kurorat e përparme dhe për urat deri në 3 njësi.

Zirkoni i shtresëzuar është një tjetër material jashtëzakonisht i fortë dhe i përshtatshëm për ura dhe kurora. Nënstruktura e tij është kombinim i zirkonit me porcelan të shtresuar mbi të.

Mesazhi im:

Pacientët që duan dhëmbë artificialë me pamje estetike natyrore iu preferoj të zgjedhin kurora nga zirkoni para atyre nga metal-porcelani.

Ndonëse kurora nga zirkoni është një produkt pak më i shtrenjtë, ia vlen të investoni në të sepse në shëndet nuk duhet të kurseni.

Youtube

Arkiva

Kategoritë