Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi ka paralajmëruar se nga dita e hënë e javës së ardhshme të gjithë personat që do të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve do të zbatojnë masat e reja kufizuese, raporton Albanian Post.
Sipas Vitisë, ata që frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik.
“Në masat që jemi duke hartuar tani edhe në gastronomi të aplikohet nga data 27 shtator të aplikohen masa kufizuese vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR dhe me test serologjik. Shoqata e Gastronomeve është treguar bashkëpunuese në këtë drejtim. Me këto shifra, një masë e tillë nuk është më pengesë as për sektorin e gastronomisë”, tha Vitia.
Gjatë këtij raportimi, ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i ka thënë ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, se “në situatë normale dhe në një Qeveri të përgjegjshme ju sot nuk do të ishit këtu për të raportuar”.
“Më shumë jeni marrë me punë periferike se sa me menaxhimin e situatës pandemike. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë se për një muaj kemi humbur mbi 700 qytetarë dhe ju nuk ndiheni përgjegjës për keqmenaxhim apo mosmenaxhim të kësaj situate, duke filluar nga qershori”, ka theksuar ai.
Lidhur me këto akuza, Vitia ka thënë se MSH-ja fokusin kryesor e ka pasur menaxhimin e pandemisë, por që sipas tij, janë edhe qindra punë të tjera që duhet të kryhen në MSH dhe që siç ka thënë, ato nuk janë periferike.
“Ju garantoj se pandemia ka qenë sfida kryesore dhe përqindja më e madhe e punës ka qenë në këtë drejtim. Unë në asnjë moment nuk kam tentuar as nuk tentoj që t’i iki përgjegjësisë”, ka thënë ai.
Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.
Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.
Vendet si Franca dhe Italia e kanë bërë të detyrueshëm dëshminë për vaksinim apo test negativ për Coronavirus, për të pasur qasje në një mori aktivitetesh.
Pakistani ka qenë edhe më i rreptë. Dhjetëra mijëra persona janë nisur drejt qendrave të vaksinimit më 5 gusht, pasi zyrtarët kanë bërë të ditura ndëshkimet për të pa-vaksinuarit, përfshirë bllokim të numrave të telefonit, ndalesë për hyrje në zyre, restorante, qendra tregtare dhe mjete transporti.