Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Inaugurohet Spitali i Fëmijëve, falë ndihmës së Emirateve të Bashkuara Arabe

Sot është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Spitalit të Fëmijëve “Sheikha Fatima” në Prishtinë, donacion ky i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Spitalit të Fëmijëve, i ndërtuar falë ndihmës nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Osmani në ceremoninë e përurimit ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e tyre. Sipas saj, nga tash fëmijët do të kenë një adresë të trajtimit me kapacitete më moderne, duke shtuar se ky spital simbolizon edhe miqësinë me këtë shtet.

“Të vegjlit tanë dhe prindërit mund të flenë rehat sepse ky spital është modern e me teknologjinë e fundit. Tashmë fëmijët tanë do të kurohen në vendin tonë e jo në vendet e rajonit. Do të punojmë që ky spital të jetë sinonim i humanizmit, ku të gjithë do të ndihen të mirëseardhur. E ardhmja jonë do të jetë më e mirë kur ne të punojmë fort, e ardhmja jonë do të jetë më e sigurt”, ka thënë Osmani.

Ajo shoti se sot është vulosur miqësia me Emiratet e Bashkuara.

“Në mars 2016 në këtë vend u vendos gurthemeli i këtij spitali, dhe në po këtë ditë u vulos miqësia mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për këtë u jemi përherë mirënjohës e falënderues. Uroj qe ky spital të jetë investimi i parë nga të shumtit që do t’i sjellë e ardhmja. Edhe njëherë faleminderit për kontribut, sidomos Atifete Jahjaga, si dhe të gjithë atyre që kontribuuan”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se fëmijët janë e ardhmja e demokracisë, prandaj duhet punuar fort për ta.

“Me programin e Qeverisë ne jemi zotuar që do të kujdesemi për fëmijët. Ky projekt humanitar përveç përmirësimit të jetës së fëmijëve, është dëshmi për miqësinë e dy vendeve tona. Falënderoj presidenten Jahjaga për angazhimin e saj, dhe të gjitha ekipet qe kontribuuan për këtë spital. Pas nënës sime e para mësueses sime, janë dy mjekë qe ju kam borxh jetën. Ata tashmë janë të ndjerë, por s’kam dyshim se do të ishin gëzuar shumë për këtë spital”, shtoi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky spital do t’u dal në ndihmë shumë fëmijëve, duke shtuar se nuk janë të pakta rastet kur familjarët detyrohen t’i dërgojnë fëmijët për shërim jashtë vendit.

“Ky spital do të ndihmojë që ata të trajtohen këtu. Ky është një kontribut i disa gjeneratave, në një spital me teknologjinë e fundit. Në këtë kohë të vështirë kur jemi duke u përballur me pandeminë, ky spital do të ketë impakt të madh në parandalimin e vdekjeve të fëmijëve. Bëj thirrje që të vaksinohen të gjithë sidomos fëmijët prej 12-15 vjeç e po ashtu gratë shtatzëna”, tha Vitia.

Ministri gjithashtu u bëri thirrje thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19.

“U bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të vendit që të vaksinohen kundër COVID-19, në mënyrë të veçantë u bëj thirrje prindërve të fëmijëve të moshës 12-15 vjeç me probleme shëndetësore, si dhe grave shtatzëna të vaksinohen, sepse kjo është rrugë e duhur për t’u mbrojtur nga virusi dhe për të frenuar përhapjen e mëtejmë të tij”, tha Vitia. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë