Ndryshe nga versionet e mëparshme të koronavirusit, varianti i ri Delta po shkakton një dëm të konsiderueshëm veçanërisht tek fëmijët nën 12 vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar ende.
“Varianti Delta është më ngjitës. Kjo është arsyeja pse po shfaqet më shumë tek fëmijët, “tha Dr Paul Offit, mjek për sëmundjevet infektive në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), varianti Delta është dy herë më ngjitës se variantet e mëparshme, dhe ka të dhëna që tregojnë se ai mund të shkaktojë komplikacione më të rënda tek njerëzit e pavaksinuar.
Meqenëse shumica e fëmijëve janë të pavaksinuar, kjo i vë ata në një kategori me rrezik më lartë infektimi.
Duke u bazuar në të dhëat e mbledhura, njihuni me simptomat e varanitit Delta dhe se kur vaksinat mund të jenë në dispozicion edhe për fëmijët.
Cilat janë simptomat kryesore të variantit Delta tek fëmijët?
Ekspertët raportojnë se kollitja dhe humbja e nuhatjes janë simptoma më pak të zakonshme tek varianti Delta. Ndërsa dhimbja e kokës, dhimbja e fytit, rrjedhja e hundës dhe ethet janë ndër simptomat kryesore. Para se të shfaqej ky variant, shumica e fëmijëve me COVID-19 nuk kishin simptoma.
Por sido që të jetë, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për sëmundjet e tjera të shkaktuara nga COVID-19 tek të rinjtë, shprehen ekspertët. Një sëmundje serioze tek fëmijët është sindroma inflamatore multisistemike (MIS-C). Ky është një ndërlikim i pazakontë dhe serioz i COVID-19, i cili shfaqet disa javë pas infektimit fillestar.
Simptomat përfshijnë:
dhimbje barku
sy të përgjakur
shtrëngim ose dhimbje në gjoks
diarre
rraskapitje
dhimbje koke
presion të ulët të gjakut
dhimbje qafe
skuqje
të vjella
Kur duhet ta testoni fëmijën tuaj për COVID-19?
Fëmijët me ndonjë nga simptomat e përmendura më sipër duhet të testohen dhe të shihen nga një pediatër.
Sipas ekspertëve, nëse fëmija juaj rezulton pozitiv me COVID-19, ai duhet të izolohet dhe karantinohet derisa të mos ketë më simptoma. Dhe në rast ata rezultojnë pozitiv, por janë në gjendje të mirë, këshillohet që prindërit të monitorojnë për problemet e mundshme të frymëmarrjes, marrjen e mjaftueshme të lëngjeve dhe më e rëndësishmja, pamjen e përgjithshme.
Mundohuni të caktoni një banjo për personin e sëmurë, nëse kjo është e realizueshme. Gjithashtu përdorimi i maskës dhe ajrosja e shtëpisë është e nevojshme në këtë rast. Për fëmijët, studentët dhe stafin e mësuesëve që kthehen në shkollë në shtator, maska është çelësi.
Kur do të kenë të drejtë fëmijët të vaksinohen?
Varianti Delta, duke qenë shumë ngjitës, po përhapet më së shumti tak ata që janë të pavaksinuar. Me vitin shkollor që po afron, prindërit janë të paduruar të dinë se kur vaksina do të jetë në dispozicion për fëmijët e tyre.
Por studimet klinike për të parë nëse vaksinat janë të sigurta për fëmijët dhe cila duhet të jetë doza e duhur, janë ende duke u zhvilluar., Pfizer deklaroi për CNN, se studimet për vaksinën po vijojnë të kryhen dhe se të dhënat pritet të publikohen në shtator. Kjo do të thotë që duhet të kalojnë disa javë para se fëmijët nën 12 vjeç të mund të vaksinohen.
Tani për tani, arma më e mirë për të ndaluar përhapjen e variantit Delta tek fëmijët, është parandalimi.
Burimi: AgroWeb