Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë hequr nga administrimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca pas skadimit të afatit, vaksina këto të cilat ishin donacion nga Norvegjia, përcjell Albanian Post.
“Sot kemi hequr nga administrimi 133 mijë 234 Vaksina nga kompania AstraZenca pjesë e donacionit nga Norvegjia që ju ka skaduar afati. Si ministri kemi njoftuar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti”, tha Vitia.
Ndërsa, shtoi se ka pasur shumë dezinformata përfshirë këtu edhe nga deputetë të Kuvendit për afatin e këtyre vaksinave.
“Përveç të tjerash kjo ka ndodhur dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë. Në ballafaqim me pandeminë dhe pas përhapjes së variantit Delta ne nuk jemi në situatë për të zgjedhur vaksina sidomos kur ato janë të sigurta”, u shpreh Vitia.
Vitia deklaroi se vaksinat që janë në stoqe tona janë vaksina të sigurta.
“Ju siguroj se aktualisht kemi mjaftueshëm vaksina dhe nuk do të lejojmë që stoqet tona të mbesin pa to asnjë moment. Presim në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër 150 mijë vaksina nga Gjermania dhe në javën e tretë të shtatorit edhe 100 mijë vaksina nga Italia. Edhe këto vaksina janë AstraZeneca me afat deri në nëntor të këtij viti”.
Po ashtu bëri të ditur, se në fillim të javës tjetër pritet të vijnë edhe pjesa tjetër e vaksinave Pfizer përmes COVAX nga donacioni i SHBA-ve prej 500 mijë dozave, dhe mbi 200 mijë doza nga kontrata bilaterale që është me Pfizer.
Ministri shtoi se ekipet e vaksinimit do të intensifikojnë punën edhe gjatë vikendit filluar nga java e ardhshme.
Gjendja me COVID-19 në spitalet e përgjithshme në Kosovë
Në klinikat COVID dhe në spitalet e përgjithshme e përgjithshme janë të shtrirë 1 mijë e 220 pacientë.
Nga raporti zyrtar i datës 1 shtator 2021, nga 1,220 pacientët e shtrirë, 1,116 janë të konfirmuar me Covid-19, 1,051 me oksigjeno-terapi dhe 59 në kujdes intensiv, në gjendje të rënduar shëndetësore.
Në kuadër të klinikave COVID-19 të QKUK-së, në trajtim janë 438 pacientë, 435 të konfirmuar me COVID-19, 390 me oksigjeno-terapi.
Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 782 pacientë, 681 të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 661 me oksigjeno-terapi.
Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të mërkurën e 1 shtatorit në Kosovë ka raportuar 22 persona të vdekur nga COVID-19 dhe një mijë e 894 persona të infektuar.
Numri i të infektuarve vjen nga 14 mijë e 284 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 354 persona.
Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 27 mijë e 404.
Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 15 mijë e 835.
Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 557 mijë e 322 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 284 mijë e 269.
Ndërsa, një ditë më parë në Kosovë 26 persona kanë humbur jetën nga Coronavirusi.