Shkruan: Dr.Visar Zekaj
Javët e fundit kemi pasur shtim të madh të rasteve me COVID-19, që ka bërë që të mbushen spitalet me raste që kanë nevojë për hospitalizim. Kjo po ndodh për shumë arsye.
Arsyeja e parë është mosrespektimi i masave mbrojtëse në fuqi që janë: mbajtja e maskave, mosrespektimi i distancës fizike, numri i madh i personave në ambiente të mbyllura (numër i madh i personave në dasma, diskoteka, ahengje familjare etj.) shto këtu faktin që varianti i ri Delta që është shumë më i transmetueshëm nga një person në tjetrin.
Hezitimi i qytetarëve për tu vaksinuar me vaksinat e aprovuara të siguruara nga ministria e shëndetësisë duke u bazuar në teoritë konspirative.
Tani në QKUK kemi numër të madh të pacientëve të hospitalizuar, Klinika infektive e mbushur në tërësi, klinika infektive 2 (Mjekësia sportive), pa asnjë vend të lirë, tani edhe ish klinika interne në dispozicion për të pranuar pacientë. Shtimi i madh i rasteve padyshim që çrregullon sistemin shëndetësor sepse patologjitë tjera do të mund të mbeten pa trajtim adekuat duke u bazuar në faktin që disa klinika do të lëvizin nga hapsirat e tyre.
Pacientët e hospitalizuar në këto klinika janë 92% të pa vaksinuar, 7% të vaksinuar me dozën e parë, kurse 1% të vaksinuar me dozën e dytë.
Në bazë të kësaj mund të konkludojmë që vaksina na mbron nga infeksioni dhe në këtë mënyrë na mbron nga sëmundja e rëndë.
Pandemia nuk ka kaluar, andaj të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm, të respektojmë masat mbrojtëse, të mbajmë maska për të mbuluar hundën dhe gojën, të mbajmë distancë fizike dhe higjiene.
Lus të gjithë qytetarët të cilët nuk janë vaksinuar, të aplikojnë për vaksinim dhe të vaksinohen sa më parë, sepse kjo është mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga sëmundja e rëndë COVID19!