Shkruan: Blerim Myftiu- Neurolog
Studimet epidemiologjike kanë treguar se pjesëmarrja e mbi 150 personave në një sallon dasme, duke kërcyer e dëfryer, mbajtur dorë për dore në valle, ndonjëherë edhe duke ia hedhur krahun njëri-tjetrit (varësisht nga ritmi dhe tempoja e vallëzimit), gjithsesi në afërsi sa më të madhe e duke brohoritur “hej, hej” në pikën kulmore të këngës së shoqëruar me tupan, paraqet një rrezik të lartë për përhapjen e koronavirusit të ri (SARS-CoV-2), i cili është bërë njëri prej rrezikuesve më të mëdhenj të njerëzimit, sidomos të sektorit të gastronomisë.
Duke u bazuar në këto studime, që supozohet se janë kryer në bashkëpunim me institucionet shëndetësore kosovare, mendohet se nëse në këtë dasmë marrin pjesë 149 persona dhe më pak, atëherë pakësohet dukshëm rreziku i bartjes së virusit nga njëri te tjetri, pa marrë parasysh nëse vallëzoni duke u mbajtur dorë për dore, duke ia hedhur krahun njëri-tjetrit, nëse vallëzoni “sentish” apo edhe nëse brohoritni deri në kupë të qiellit “hej, hej” kur pika muzikore e arrin kulmin dhe tupani bie me tërë fuqinë. (nuk ka dëshmi se virusi bartet me pështymën apo sperklën kur ajo hidhet me qëllim gazmendi)Ditëve në vijim pritet të publikohen edhe informata të reja epidemiologjike që dëshmojnë se qëndrimi në restorant apo në “kafiç” pas orës 22:30 seriozisht e rrezikon shëndetin e kafepirësve dhe birrëpirësve. Por nëse kthehen në shtëpi në 22:29 minuta, atëherë pa marrë parasysh a janë të vaksinuar apo jo, a ulen nga dy apo dhjetë në tavolinë, a kanë distancë tavolinat 2 centimetra apo 2 metra, a e mban kamerieri maskën mbi hundë apo rreth qafës apo në krah si shirit kapiteni, rreziku për bartjen e infeksionit do të pakësohet dukshëm.
Sipas informatave të fundit që vijnë nga drejtuesit e shëndetësisë në Kosovë, mësohet se të gjithë që në një moment të jetës së tyre në 2 vitet e fundit kanë thënë “nuk besoj në virus”, “krejt është kjo lojë e masonëve dhe e iluminative”, “nuk po muj me mbajt qet maskë se po më jep siklet”, “allahile a po tutesh, hiqe more atë maskë”, “unë nuk du me ma shti çipin e Mikrosoftit”, nuk do të pranohen për trajtim në QKUK dhe do të kthehen në shtëpi në mënyrë që të reflektojnë për qëndrimet e tyre.
Pasi të fitohet besimi se e kanë kuptuar nëpër çka jemi duke kaluar dhe betohen se nuk do t’i përsërisin këto fjalime heretike, atëherë do t’u jepet ndihma e nevojshme mjekësore. Edhe Bill Gejts, i ka siguruar kosovarët se ish-kompania e tij nuk është e interesuar t’ua vë çipin kosovarë, ngase nuk është në interes të kompanisë shtrirja në Kosovë (apo se nuk ka kurgjo interesante, kështu diçka).Drejtuesit e SHSKUK-së po ashtu kanë vërejtur që shfrytëzimi i pushimeve nga stafi shëndetësor është një faktor shumë i rëndësishëm për përhapjen e virusit.
Kësisoj drejtoria ka vendosur që t’i anulojë pushimet e mjekëve dhe të infermierëve, duke u bërë thirrje urgjente që të kthehen në vendet e tyre të punës. Në këtë mënyrë, punëtorëve shëndetësorë u është tërhequr vërejtja për sjelljet e tyre të pahijshme gjatë pushimeve që ka kontribuuar në rritjen e numrit të rasteve ditëve të fundit dhe u është urdhëruar që të ofrojnë ndihmë të gjithë besuesve e mosbesuesve të virusit, të gjithë të vaksinuarve e të pavaksinuarve dhe të atyre që kanë zgjedhur të mos vaksinohen (veç nuk du), të gjithë atyre që kanë hedhur valle nëpër dasma anembanë Kosovës, atyre që maska “ju ka shkaktu siklet” dhe atyre që nuk janë frikësuar në asnjë çast nga virusi.Ministria e Shëndetësisë ka hedhur poshtë zbatimin e disa masave që i ndërmarrin qeveritë përparimtare demokratike evropiane, siç janë vaksinimi i obliguar i punëtorëve shëndetësorë, mësimdhënësve, studentëve, punëtorëve në institucione publike e private, gastronomëve, Afrim Muçiqit dhe kolegëve të tij apo dëshminë e vaksinimit për të pasur qasje në institucionet shëndetësore, arsimore, shtetërore, hoteliere e të ngjashme.