Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Ç’janë në fakt edemat apo ënjtjet?

Ënjtjet janë ndryshime jonormale në trupin e njeriut, të cilat nënkuptojnë grumbullimin e shtuar (jonormal) të lëngjeve në organizëm, konkretisht në hapësirën ndërqelizore. Ato janë zakonisht lehtë të zbulueshme qoftë nga mjeku, njerëzit përreth madje dhe vet pacienti

Edmond Haliti, MD, PhD candidate
Specialist i Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë

Për analogji duhet thënë se në praktikë hasen shumë shpesh grumbullime jonormale të lëngut edhe në hapësirat “virtuale” që ekzistojnë midis cipave seroze siç është pleura, perikardi e peritoneumi. Prezenca në këto hapësira e një sasie jonormale të lëngut të lirë sjellë një sërë çrregullimesh funksionale të tyre ose/dhe organeve që kanë në afërsi.

Poashtu shpeshherë dëgjojmë të flitet për edema specifike të një organi të caktuar, si p.sh. mushkërive, trurit, pankreasit, nyjeve etj. Zbulimi i këtyre edemave si edhe lëngut të lirë në hapësirat seroze, përbënë një problematikë kryesisht profesionale dhe si e tillë nuk është në fokusin e tematikës sonë.

Nëse edemat janë të dukshme, ato më së miri vërehen në indin nënlëkuror, sidomos në regjionin e kërcirit (nëngjurit), fytyrë, duar etj. Nëse ato janë të shpërndara nëpër tërë trupin, atëherë flitet për një gjendje të rëndë, e quajtur anasarka.

Nga praktika mjekësore, por edhe nga përvoja e përgjithshme jetësore e secilit nga ne, mund të themi se ënjtjet janë tepër të shpeshta, në të gjitha moshat dhe gjinitë, madje thuhet se nuk ka njeri që të mos ta ketë provuar atë së paku ndonjëherë.

Prandaj, pyetjet që më së shpeshti shtrohen në këto raste qoftë nga njerëzit e shqetësuar, nga familjarët e tyre, por edhe nga ambicia e shëndosh për të njohur sa më shumë veten dhe natyrën, e nga ana tjetër edhe për të ngritur kulturën personale shëndetësore, zakonisht janë:

Sa e vështirë është të zbulohen edemat?

Identifikimi i edemave nuk është fare i vështirë, përveç në rastet kur ato janë minimale. Zakonisht ato vërehen nga vet pacienti, familjarët e tij, e sidomos nga profesionistët mjekësorë (mjekët, infermierët). Ato janë më evidente në faqen e përparme të kërcinjve (nëngjurit), ku pas shtypjes me gisht vihet re mbetja e përkohshme e shenjës së gishtit mbi vendin ku është shtypur, por poashtu mund të shfaqen edhe në fytyrë, duar dhe kudo tjetër në trup.

Në rastet kur edemat janë diskrete, të padukshme me sy dhe në shtypje (format e lehtë ose subklinike), prania e tyre mund të verifikohet lehtësisht nëpërmjet shtimit jonormal në peshë nga dita në ditë, përkatësisht humbjes së peshës pas përdorimit të diuretikëve.

Vështirësia kryesore në rastet e paraqitjes së edemave, qëndron në zbulimin e shkaktarit të tyre, ndërsa kjo është shumë e rëndësishme për mjekimin dhe prognozën e tyre.

A shkaktojnë edemat sëmundjet e zemrës?

Sigurisht që sëmundjet e zemrës mund të manifestohen me edema, madje këto konsiderohen si shkaku me i shpeshtë së paku kur është fjala për edemat periferike, të cilat nëse nuk mjekohen me kohë kanë tendencë të gjeneralisimit nëpër tërë trupin e njeriut. Njihen si edema kardiake në terminologjinë mjekësore, ndërsa shkaktohen kryesisht si pasojë e rritjes së shtypjes në venat periferike nga pamjaftueshmëria e zemrës.

Këto edema janë më të shprehura në pikat më të ulëta të trupit, kryesisht në këmbë-regjionin e kërcirit, më të shprehura në fund të ditës, derisa në mëngjes janë më të pakta. Ato janë përgjithësisht simetrike, të forta, me ngjyrë të kuqe të errët deri cianotike, lëkura mbi to është e hollë dhe e ndritshme, ndërsa kanë tendencë të përhapjes nga poshtë-lartë,madje edhe në tërë trupin.

A mund të japin edema sëmundjet e veshkës?

Shkaktarë mjaft i shpeshtë i edemave janë padyshim edhe sëmundjet e veshkave. I quajmë edema renale në terminologji mjekësore dhe shkaktohen kryesisht si pasojë e dëmtimit të glomerulit të veshkës dhe humbjes masive të proteinave përmes tyre.

Ënjtjet janë më të shprehura në mëngjes, lokalizohen më tepër përreth syve, përgjithësisht në fytyrë, duar, apo këmbë. Janë zakonisht simetrike, të buta (si brumë), janë të zbehta në ngjyrë, nuk kanë tendencë të përhapjes nga poshtë-lartë dhe shumë rrallë mund të japin anasarka.

Po sëmundjet e mëlçisë?

Edema hepatike shkaktohet kryesisht si pasojë e uljes së nivelit të proteinave në gjak (përkatësisht në plazmë), shkaktuar nga dëmtimi i funksionit të mëlçisë në sintetizimin e tyre, siç ndodh rëndomë në fazat e avancuara të cirrozës së mëlçisë.

Këto ënjtje janë më të shprehura në mëngjes, mund të lokalizohen kudo në trup, por më shpesh në duar, këmbë, e sidomos në formën e lëngut të lirë në brendi të barkut (hapësirën peritoneale dhe intrabdominale), duke u quajtur në këtë rast ascit.

Po sëmundjet e gjëndrës tiroide?

Është zakonisht ulja e funksionit të gjëndrës tiroide (hipotireoza) që shkakton ënjtje, prandaj sinonim i saj është mixedema. Këtu bëhet fjalë për edema jo shumë të shprehura (diskrete), të forta, të shpërndara në tërë trupin thuajse proporcionalisht (mikse), përfshirë edhe mukozat si psh. mund të shkaktojë edemë të lehtë të “telave” të zërit që arsyeton trashjen ose edhe ngjirjen e zërit te këta pacientë). Ënjtjet janë të shprehura gjatë gjithë kohës (ditë dhe natë, pavarësisht nga pozita e pacientit).

Edema, pasojë e uljes së nivelit të proteinave në gjak edhe në mungesë të sëmundjeve të mëlçisë ose veshkave?

Po kjo mund të ndodh në rastet e mosushqyeshmërisë së rëndë (kryesisht në vendet e pazhvilluara të botës), në rastet e sëmundjeve të sistemit tretës që shoqërohen me keqtretjen (maldigjestioni) ose/dhe keqthithjen (malabsorbim) e ushqimit, nga humbja e tepërt e proteinave përmes sistemit të tretjes, humbja e tepërt e tyre me rrugë të tjera siç mund të ndodh në proceset patologjik me grumbullim qelbi kudo qofshin në organizëm (të ashtuquajturat abscese, empiema), në djegiet masive të lëkurës ose mukozave etj.

A mund të shkaktohen edemat thjeshtë nga shprehitë e dëmshme jetësore?

Nuk ka të dhëna që implikojnë direkt këta faktorë në shfaqjen e tyre, së paku deri më sot. Por, duhet shtuar se kur është fjala për shprehitë ushqimore (ushqyerja e papërshtatshme, konsumi i duhanit, alkoolit, narkotikëve), përdorimi i kripës së kuzhinës në sasi të tepërt mund t’i theksoj ose t’i bëjë të dukshme edemat që deri atëherë kanë qenë të lehta, përkatësisht nuk janë vërejtur. Kjo nënkupton se ato nuk janë shkaktar direkt i shfaqjes së edemave, por janë faktorë përkeqësues i tyre në terren të sëmundjes ekzistuese (sidomos tek edemat kardiake) duke rritur edhe riskun kardiovaskular.

A ekzistojnë edhe shkaqe tjera që mund të rezultojnë me edema?

Patjetër se ekzistojnë, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e shkakut të vërtetë të edemave ne disa raste (diagnozën diferenciale). Ndër këto shkaqe duhet përmendur:

Edemat nga e ashtuquajtura stazë e venave periferike – shkaktohen nga sëmundjet e venave të thella (sidomos flebotrombozat) të cilat mund të krijojnë pengesë mekanike në qarkullimin e gjakut venoz dhe ngadalësimin e drenimit limfatik. Këto janë jo shumë të shprehura, të njëanshme, të lokalizuara në gjymtyrën e sëmurë, kanë ngjyrë të kuqe të errët deri edhe vjollce, shoqërohen me lodhje, dhimbje të anësisë, ndryshime në lëkurë.

Limfedema – zakonisht shkaktohen nga pengesa mekanike ne drenimin e limfës. Shkaku me i shpeshte janë rastet e prezencës së masave tumorale, limfonodujve etj. Këto janë zakonisht edema mjaft të shprehura, të njëanshme, të lokalizuara në gjymtyrën përkatëse, poshtë vendit ku është penguar drenimi limfatik. Ndonjëherë janë aq të shprehura saqë limfa del në formë bulash edhe në sipërfaqen e lëkurës, ose mund të ndodh që ekstremiteti masive, gati “gjigante”(elephantiasis).

Poashtu edemat hasen edhe në sëmundjet reumatike (ku janë kryesisht të lokalizuara në nyje), pastaj te pezmatimet (inflamacionet) e ndryshme të lokalizuara në sipërfaqen e lëkurës e mukozave (janë zakonisht të lokalizuara, të kuqe dhe të dhimbshme), në reaksionet alergjike tek disa çrregullime të shtatzënisë të shoqëruara me humbje të proteinave me rrugë urinare (që njihen në terma mjekësor si gestoza/pre-eklampsi dhe hasen në tremujorin e fundit, zakonisht gjatë shtatzënisë së parë), pastaj në disa sëmundje malinje-kanceroze (qoftë si pasojë e shtypjes mekanike mbi enët e gjakut ose të limfës, qoftë nga humbja e proteinave, inflamacioni ose mekanizma tjerë)

A janë edemat domosdo manifestim i një sëmundjeje apo rrethane patologjike?

Jo, prezenca e tyre nuk do të thotë patjetër “sëmundje”. Megjithatë, nuk duhet të ketë “panik”, thjeshtë duhet kushtuar kujdesin e duhur, duhet t’i drejtoheni mjekut sa herë që vini re shenja të tilla, qofshin edhe të dyshimta.

Numërohen disa shkaqe fiziologjike në të cilat ënjtjet-edemat mund të konsiderohen si gjetje normale, siç është rasti te gratë shtatzëna në muajt e fundit të shtatzënisë, sidomos gjatë qëndrimit të gjatë në këmbë (me kujdes duhet përjashtuar këtu sëmundjet e shtatzënisë), pastaj edhe tek pjesa tjetër e popullatës në rastet e qëndrimit të gjatë në këmbë, lodhjes së tepruar, mbajtja e këmbëve ne pozitën poshtë krevatit ose qëndrimi gjatë ulur në karrige (karakteristikë për disa profesione), mbajtja e këmbëve për një kohë të gjatë në ujë të ngrohtë, etj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë