Kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, ka thënë se pacientët që blejnë vetë barëra të listës esenciale duhet ta padisin shtetin dhe të kërkojnë kompensim.
Një deklarim të tillë, Kodra e ka bërë pasi dy qytetarë janë ankuar se nuk janë furnizuar me barin “Herceptine” që përdoret nga të prekurit me kancer.
Ai ka thënë se shteti është përgjegjës për furnizimin e këtij bari pasi është në Listën esenciale.
“Në rast që shteti nuk ka arrite më e përmbushë Listën e barnave esenciale, çdo paciente ka të drejtë ta padisë dhe të kërkojë kompensimin në raport më ato dëme financiare që janë shkaktuar si rezultat i mungesës se këtyre barnave”, ka thënë ai.
Kodra ka shtuar se çështjet e kompensimit të pacienteve i kanë dërguar edhe tek Avokati i Popullit, por që të njëjtin nuk kanë dhënë përgjigje që nga viti 2019.
‘‘Nëse edhe avokati i popullit është ai i cili shkel të drejtat e njerëzve në Republikën e Kosovës, nuk mundem më e shpjegua më cili institucion nuk do t’i shkelte’’, është shprehur ai.
Ndryshe, për mungesën e ilaçit të “Herceptinës” për i cili mungon më shumë se tre javë, nga Barnatorja Qendrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë thënë se do bëhen porositë.
‘‘Pas dekretimit të Ligjit për Rishikim të Buxhetit dhe alokimit të buxhetit për Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, do të bëhen porositë për barna dhe material shpenzues, bazuar në kontratat ekzistuese që ka ShSKUK’’, kanë thënë në përgjigjen e tyre.
Kurse, Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, kishte thënë se i njëjti ilaç do vinte të martën, mirëpo ky ilaç mungon akoma.
‘‘Po e presim nesër më ardhë. Besoj nesër vjen’’, kishte thënë të hënën Kurtishi.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar të hënën për mungesën e barit që përdoret prej të sëmurëve me kancer.
Muhamet Zymeri ka thënë se nëna e tij trajtohet me “Herceptin” derisa në tre javët e fundit ka pasur mungesë të këtij ilaçi.
‘‘Nëna ime i merr çdo tre javë, kësaj here nuk ka mujt me e marrë se ka mungesë, me e pagu ish tepër shtrenjtë”, është shprehur ai.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së buxhetit.
‘‘Po, i kemi marrë informatat në Barnatoren Qendrore, kanë thanë qe ka pasë mungesë buxheti, por ilaçi vjen deri të martën”, ka thënë ai.
‘‘Betimi për Drejtësi’’ ka pyetur për çmimin në një barnatore private, të njëjtin kanë thënë se vetëm një ampulë kushton 1,450 euro.
“E kemi ilaçin është me doze 440 mg dhe kushton 1 mijë e 450 euro”, kanë treguar nga barnatorja.
E njëjta dozë është edhe në Listën e barnave esenciale që duhet te jepet në Barnatoren Qendrore.
Hericeptina apo siç njihet ndryshe me emrin Trastuzumab, është një ilaç për kancer që përdoret në fazat e hershme edhe më të vona të kancerit të gjirit. Po ashtu përdoret edhe për trajtimin e kancerit të stomakut.