Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Specializantët kërkojnë pagesën e kujdestarive dhe ditëve të festave

Specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK), kanë protestuar të enjten përshkak të mos pagesës së kujdestarive të vikendit dhe të ditëve të festave. Mospagesën e të njëjtave, specializantët po e quajnë si diskriminues dhe nënçmim të punës së tyre.

Në rast se nuk do të merret vendim që të paguhen për mbajtjen e kujdestarive, specializantët po paralajmërojnë se do t’i sabotojnë kujdestaritë dhe do të ndjekin edhe rrugët ligjore për ta realizuar këtë të drejtë.

Përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, njëherësh specializant në Neurologji, tha se mos pagesa për mbajtjen e kujdestarisë është një ofendim për ta. E në rast se nuk do të merret vendimi që të njëjtat të paguhen, Zajmi tha se do të bojkotojnë kujdestaritë gjatë vikendit.

“Arsyeja e protestës sonë këtu është për shkak se nuk janë duke paguar kujdestaritë e vikendit. Ne jemi duke u ballafaquar me qëndrime mjaftë kontradiktore të krerëve të institucioneve tona, për shkak që kur po vjen puna që ne me i krye shërbimet në shërbim të shëndetit të popullatës tonë ne po cilësohemi si heronj si dhe e ardhmja e vendit tonë. Mirëpo, në momentin kur po vjen puna që institucionet me i krye obligimet dhe detyrimet ndaj neve atëherë ne po harrohemi. Praktikisht po zbatohen masa të tilla siç është kjo e fundit që neve po na fyen, po na ofendon, po na diskriminon dhe nuk po na jep zgjidhje tjetër veçse me i bojkotu kujdestaritë e vikendit për shkak që ato nuk po paguhen dhe kjo është një lloj i nënçmimit”, tha ai.

Zajmi tha se në bazë të udhëzimit administrativ e kanë për obligim që të mbajnë së paku dy kujdestari, e që për të mbajtur më shumë ai tha se kërkojnë që të paguhen.

Ai bëri të ditur se që pas marrjes së vendimit që kujdestaritë të mos paguhen në shumë klinika janë sabotuar kujdestaritë gjatë vikendit.

Sipas tij, specializantët po marrin kërcënime edhe nga Klinikat për mos mbajtje të kujdestarive.

“Shumica e Klinikave e kanë sabotuar kujdestaritë e vikendit dhe kujdestaritë e festave në të njëjtën kohë dhe kemi ndërmend të vazhdojmë protestat dhe t’i ndjekim edhe rrugët ligjore ndaj atyre institucioneve të cilat janë përgjegjëse për këtë situatë[…]Po ka pasur kërcënime të tilla të kësaj natyre, ka pasur kërcënime se do t’i dëmtojnë në provim specialistik nga disa klinika e kështu me radhë. Mirëpo për këtë nuk do të thellohem shumë më tepër do të shohim se si do të rrjedh situata pas kësaj proteste. Nëse do të vazhdojnë kërcënimet ne do t’i bëjmë publike emrat e atyre personave që po i kërcënojnë sepcializantët”, tha ai.

Ai tha se kanë bërë kërkesa edhe në Ministri të Shëndetësisë edhe në SHSKUK, por që tha se asnjë institucion nuk po merr përgjegjësi.

Ndërsa, Flamur Hasimi, specializant në neurokirurgji, tha se mos pagesa për mbajtjen e kujdestarive po i dëmton edhe vet ata, derisa e quajti të padrejtë vendimin për mos pagim të kujdestarive për specializantët.

“Është edhe e dëmshme, pos që nuk është e drejtë për shkak që specializantët e kanë një rol goxha të madh brenda QKUK-së në kuptim te kryerjes së punëve së bashku me specializantët kuptohet. Mirëpo, ideja është edhe në zhvillim të vazhdueshëm profesional, në edukim të vazhdueshëm gjegjësisht profesional për shkak që në mungesë të këtyre orëve, se do të thotë ne bëjmë orë shtesë brenda një kujdestarie. Një kujdestari nënkupton 24 orë pune të cilat ne jemi gjithmonë aktiv këtu dhe nënkupton që do të kemi mangësi në kuptim të edukimit të vazhdueshëm profesional që do të dalim të mangët nëse nuk mbahen edhe këto tri kujdestari të tjera”, tha ai.

Ai tha se në Klinikën ku ai është duke e bërë specializimin nuk ka marrë kërcënime se do të përjashtohet nëse nuk do të mbajë kujdestaritë. /KP/

Youtube

Arkiva

Kategoritë