Një fëmijë i moshës 2-vjeçare është operuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, ku i është hequr një tumor.
Sipas komunikatës për medie, operacioni është kryer me sukses dhe fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, mjekët kirurgë, të asistuar nga ekipi i anestezionit, kanë operuar me sukses një fëmijë të moshës 2 vjecare, duke ia larguar tumorin, i cili ia kishte përfshirë gjysmën e barkut’, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se, “Operacioni u realizua, pas trajtimit dhe ekzaminimeve të vazhdueshme nga mjekët pediatër-onkologë”.
“Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet shumë shpejt për në shtëpi”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.