Ka filluar shpërndarja e insulinave në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat për furnizimin e insulinave, dhe se nga sot dhe ditëve në vijim do të vazhdoj shpërndarja e insulinave për pacientët me diabet nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Njoftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se pas hapjes së rrugëve ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar të gjitha procedurat për furnizimin e insulinave, dhe se nga sot dhe ditëve në vijim do të vazhdoj shpërndarja e insulinave për pacientët me diabet nëpër Qendrat Kryesore te Mjekësisë Familjare”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ndryshe, afro 30 mijë është numri i qytetarëve të Kosovës të prekur nga diabeti, të cilët tash e disa muaj nuk mund të furnizohen me insulinë nëpër institucione publike shëndetësore.
Përveç Komunës së Prishtinës, që ka arritur nga buxheti i saj të sigurojë insulinës për pesë muaj për pacientët e saj me diabet, si dhe Shoqatës së të Prekurve nga Diabeti në Pejë, që siguroi vaksina për fëmijët me diabet në këtë komunë, pacientët në komunat e tjera po furnizoheshin si dinë e munden, nëpër barnatore private, ose edhe jashtë shtetit.
Asociacioni i Komunave të Kosovës, në takimin e fundit me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ka kërkuar që furnizimi me barna esenciale, sidomos me insulinë, por edhe me materiale të tjera të bëhet në një kohë sa më të shkurtër.
Vitia kishte premtuar rreth një javë më parë se furnizimi me vaksina do të fillojë së shpejti.