Situata e vështirë me pandeminë, gjatë më shumë se një viti, ka bërë që edhe vet qytetarët të injorojnë problemet e tjera shëndetësore dhe shmangien e vizitave nëpër spitale.
Pasi numrat e të infektuarve me coronavirus dita ditës kanë rënë, kanë filluar të dalin në pah problemet me sëmundje të tjera.
Në Klinikën e Pomologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë rritur rastet me tuberkulozin.
Pulmologu, Shpëtim Thaçi ka thënë për RTV Dukagjinin se kohëve të fundit kanë pranuar më shumë pacientë të infektuar me tuberkuloz.
“Tani kemi një numër më të madh të pacientëve që diagnostifikohen me këtë sëmundje. Pacientët janë pacientë të rinj dhe kemi forma të rënda të tuberkulozit, me ndryshime të mëdha në sistemin respirator”, tha Thaçi.
Ai ka rekomanduar të gjithë ata që kanë simptoma më shumë se tri javë, të vizitohen tek mjeku.
“Të gjithë pacientët që kanë një kollë për një periudhë kohore mbi tre javë, të cilët kanë lodhje e plogështi, djersitje e temperaturë, duhet të shkojnë te personeli mjekësor për një kontrollë”, tha Thaçi.
Nga Programi Kombëtar për Kontrollin e Tuberkulozit, kanë bërë të ditur se viti 2020 në krahasim me vitin 20219 ka pasur një rënie prej 32 për qind më pak raste në Kosovë.
Ndërkaq, nga të dhënat epidemiologjike dhe projeksionet ka dal që mund të ketë rritje të rasteve të tuberkulozit në tri vitet e ardhshme.
Në Kosovë sipas këtyre të dhënave deri më tani nuk vërehet ndonjë rritje e madhe, por rastet e reja janë më të rënda.