22 vjet më parë në fshatin Poklek të Drenasit, ushtria serbe ka vrarë, masakruar e djegur 53 civilë shqiptarë të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, ku më e vogla ishte Liria gjashtë muajsh.
Sot 22 vjet pas, pikërisht në oborrin e shtëpisë ku ndodhi e gjithë ngjarja është mbajtur ceremoni për shënimin e Ditës së Paqes, apo ditës së çlirimit të Kosovës.
Përveç përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, familjarëve, të pranishëm ishin edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, e shumë zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arsyeja se pse është zhvendosur ceremonia në këtë fshat të Drenasit është për të treguar se sa i shtrenjtë ishte çmimi për lirinë e Kosovës.
E para e shtetit tha se e kanë zhvendosur manifestimin pikërisht në këtë vend për të dëshmuar se zëri i viktimave të masakrës së Poklekut, Çikatovës, gjithë Drenicës, por edhe gjithë Republikës së Kosovës, pastaj edhe zëri i 1 mijë e 639 të zhdukurve ende jehonë në veshë si thirrje që të mos rreshtin përpjekjet për të sjellë drejtësi dhe për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
“22 vjet më parë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s vizitoi Kosovën na la një thënie e cila rezulton aq shumë edhe tash pas më shumë se 2 dekada. Në pllakën që do ta shihni këtu në Poklek do ta shihni citatin e tij. Citoj ‘Kushdo që mund të dyshoj në drejtësinë e intervenimit të NATO-s duhet të vijë në Poklek’. Prandaj jemi rikthyer sot këtu ku na ka këshilluar çdoherë edhe vet sekretari i përgjithshëm i NATO dhe mbi të gjitha ku na thërret çdo ditë ndërgjegjja jonë njerëzore. Dhe kthehemi jo pse dikush këtu nga ne ka dyshime rreth drejtësisë së intervenimit të NATO-s e cila e ndaloi gjenocidin serb por për ta riktheksuar këtë mesazh sot e çdo herë e për ta kuptuar se sa i shtrenjtë ishte çmimi i lirës për popullin e Kosovës. Sepse ta thuash të vërtetën nuk është vetëm detyrim politik e institucional por më së shumti e mi të gjitha është obligimi ynë moral ndaj të gjitha viktimave të luftës në Kosovë[…]sot Kosova është e veshur me petkun e krenarisë për aleancën e fortë që e kemi me NATO-n dhe me shtetet që na dolën në krah”, tha Osmani.
Osmani tha se pikërisht sot përkujtojnë sakrificën e secilit ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shpreh se ushtarët e UÇK-së nga toka dhe NATO nga qielli e bënë të mundshme lirinë e Kosovës.
“Liria e popujve të vegjël vërtetë lind nga vuajtjet e mëdha. Këtë na dëshmon simbolika e vajzës së vrarë e të djegur në këtë shtëpi e cila si për ironi mbante pikërisht emrin Liri. Liria ishte vetëm 6 muajshe. Tepër e njomë për ta nuhatur trishtimin e ditës e kobin e pafundmë. Sot ne jemi rikthyer këtu për ta kujtuar emrin e saj, emrin të cilin ajo na fali secilit prej nesh. Liri kishte emrin, por lirinë nuk e gëzoi dot.. ajo sot prehet në të njëjtin varr me mbi 50 viktima të tjera sepse ishin djegur aq shumë, aq shumë herë saqë nuk arritën as të identifikohen. Mbi 50 njerëz në të njëjtin varr janë shndërruar në dëshminë më të fuqishme të synimit të shteti serb për shfarosje e gjenocid. Por këtë regjimi i Millosheviqit nuk e arrit dot sepse këmbëngulja e popullit të Kosovës për liri e udhëhequr nga lufta e UÇK-së si dhe nga aleanca jonë e fuqishme me NATO-n dhe botën demokratike siguruan lirinë tonë në mënyrë që ne të gjithë bashkë të vijmë dhe të përkulemi para sakrificës mbi njerëzore të viktimave të Poklekut, viktimave anembanë Kosovës. Të sakrificës së secilit ushtarë e ushtare të UCK-së, UCK-së nga toka e NATO-së nga qielli të cilat e bënë të mundshme lirinë tonë”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se 12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë, derisa tha se paqja në Kosovë erdhi me hyrjen e trupave të NATO-s dhe largimin e pushtuesve serbë më 12 qershor të vitit 1999.
Kurti tha se Kosova është partnere me vendet më të fuqishme demokratike të botës, e ky partneritet sidomos me NATO-n ku synojnë të integrohen, Kurti tha se ju jep sigurinë për paqen edhe sot siç ua ka dhënë edhe me 12 qershor 1999.
“Do të mund ta shënonim këtë ditë në secilin qytet apo fshat të Kosovës sepse trupi i Kosovës i gjithi është i mbushur përplot me shenja të plagëve, të cilët për t’u shëruar kanë nevojë për të vetmin ilaç drejtësinë. Por, jemi mbledhur këtu në Poklek sepse ky vend është monument dhe dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Në masakrën e Poklekut janë vrarë 53 qytetarë të pafajshëm nga policia e Serbisë, ndërsa 3 të tjerë ende janë të pagjetur. 25 prej të vrarëve kanë qenë nën moshën 18 vjeçare pra të mitur, e prej këtyre 18 personave kanë qenë fëmijë më të vegjël se 12 vjeç, midis tyre 5 foshnja prej 6 muaj e deri në 2 vjet. Civilët shqiptar të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha ishin duke u larguar prej shtëpive të tyre, por policia serbe i urdhëroi të ktheheshin atje, i gjuajti me bomba dore në dhomat ku ata po rrinin, e më pas edhe me breshëri automatikësh, e në fund edhe i dogji trupat e tyre. Kjo ishte Serbia e Millosheviqit”, tha ai.
Ai tha se janë mbledhur sot në Poklek për të denoncuar edhe një herë se pikërisht miti për Kosovën si djep i Serbisë, ka qenë ai që mbyti dhe dogji, e që sërish kërcënon të mbys e të djeg foshnjat shqiptare.nga TaboolaRekomanduarMund t’ju interesojnëJa si zhduka celulitin për vetëm 28 ditëMira PielMos u ndjej më në siklet gjatë verës, elemino celulitin në 28 ditë.https://mjekesia.org/Përgatitu përpara pushimeve duke eleminuar celulitin në 28 ditë. Nxitoni produkti është drejt funditMira Piel
“Serbia sot ende vazhdon të qeveriset nga persona të cilët kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar dhe janë zbatuar prej policisë e ushtrisë serbe. Sigurisht ata sot nuk munden më të vijnë të na pushtoj e të na vrasin civilët e fëmijët, mirëpo ëndrrat e tyre jo vetëm që nuk i mohojnë po vazhdojnë t’i proklamojnë publikisht me mitin e Kosovës si djep i Serbisë, por edhe me investimet e vazhdueshme e të shfrenuara për armatim modern, duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë, e Kinës e vendeve të tjera. Për çka armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka pranuar dhe nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid, vrasjet e civilëve, e të miturve, e foshnjave, e grave shtatzëna, e pleqve, përdhunimi i përdorur si armë lufte. Të gjitha këto janë dokumentuar e po dokumentohen dhe ne nuk do të ndalemi kurrë se kërkuari drejtësi”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori i vitit 1999 është përmbushje e një procesi shumë të gjatë, është kurorëzim i të gjitha sakrificave të kamotshme për çlirim i të gjitha përpjekjeve për liri dhe sublimim i gjakut të derdhur dhe amaneti i jetësuar i dëshmorëve.
Në këtë ditë, Konjufca tha se lufta e lavdishme dhe e drejtë e UÇK-së u bë bashkë me ndihmën e ShBA-ve, të aleatëve e të NATO-s e ia dhanë vulën për një të ardhme të sigurt Kosovës.
“Në Serbi për të gjitha këto nuk ka kurrfarë pendese dhe nuk ka pasur kurrë, përkundrazi në institucione është instaluar në pushtet trashëgimia politike e Millosheviqit. Institucionet dhe përfaqësuesit e regjimit në Serbi ndjejnë pikëllim të madh kur dënohen kriminelët e luftës si Karagjiqi e Mlladiqi. Prandaj ne duhet të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë. Rreziku dhe kanosja nga Serbia nuk ka kaluar ende, kërcënimi sot është më i pranishëm se kurrë më parë që nga 12 qershori i vitit 1999, sepse për sa kohë që Serbia ende ka plane për t’u kthyer në Kosovë edhe ato nuk i fsheh hiç ne duhet të jemi të gatshëm ta mbrojmë atdheun tonë me çdo kusht. Sa kohë Serbia na ka në kushtetutën e saj dhe Kosova figuron në Kushtetutën e Serbisë edhe për sa kohë na konsideron tokë e saj asgjë nuk ka përfunduar me Serbinë. Prandaj 12 qershorin duhet ta festojmë me krenari, por edhe me vigjilencë”, tha ai.
Në emër të familjarëve foli Teuta Elshani, e cila tha se vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.
“Jetë të pafajshme u grabitën atë ditë në këtë vend dhe atë në mënyrën më të tmerrshme që njerëzimi mund ta imagjinojë. Edhe foshnjat 6 muajshe nuk u falën e as shkrimtari i tyre për fëmijë. Plot 22 vite kemi jetuar me dhimbje, por ka ardhur koha që kjo dhimbje të kthehet në forcë për të punuar së bashku që të zbulohen autorët e kësaj masakre dhe të gjitha masakrave në Kosovë. Ua kemi borxh të rënëve të ngritim zërin dhe të kërkojmë drejtësi para botës demokratike. Si Kosovë jemi në një moment kyç dhe kemi njerëzit e duhur për të punuar në këtë drejtim bashkë me partnerët tanë euroatlantik. Ka ardhur koha që drejtësia më në fund të bëjë punën e duhur, të dënoj gjenocidin serbë të kryer në Kosovë dhe të zbardhë fatin e të zhdukurve, në mënyrë që veni ynë të shërohet nga plagët e luftës si zgjidhja e vetme për të ecur përpara në rrugën tonë drejtë integrimit evropian”, tha ajo.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë manifestim të Ditës së çlirimit kanë vizituar edhe shtëpinë në të cilën janë djegur 53 civilët shqiptarë dhe kanë dëgjuar nga afër rrëfimet e familjarëve dhe atyre që kanë mbijetuar.