Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Mikrobiologia shqiptare në Zvicër flet për vaksinimin e shqiptarëve në këtë shtet

Zvicra po konsiderohet si shteti i vetëm në botë që përdor vetëm dy lloje të vaksinave anti-COVID, Moderna dhe BioNtech/Pfizer. E, numri i qytetarëve që kanë marrë dy doza të vaksinës deri më sot është  1.7 milionë.

Megjithëse, numri i të vaksinuarve është në shifër të lartë, ende nuk dihet për numrin e shqiptarëve që janë vaksinuar në Zvicër.

Lidhur me vaksinimin e shqiptarëve në Zvicër dhe situatën pandemike për Telegrafin ka folur mikrobiologia shqiptare nga Zürichu, Fatime Imeri.

Imeri ka deklaruar se tashmë të të gjitha grupmoshat mbi 16 vjeç mund të caktojnë termin për vaksinimi.

“Procesi i vaksinimit tanimë është duke shkuar shumë mirë. Tash e disa javë, të gjitha grupmoshat mbi 16 vjeç, mund të caktojnë terminin për vaksinim. Deri më sot, me 01.06.2021, numri i banorëve që kanë marrë dy doza të vaksinës është 1.7 milionë (20%) kurse 3 milionë (35%) kanë marrë dozën e parë. Dy vaksinat e vetme që janë të lejuara në Zvicër nga Instituti Swissmedic janë Moderna dhe BioNtech/Pfizer”, theksoi ajo për Telegrafin.

E pyetur nëse shqiptarët janë të interesuar për të marrë vaksinën antiCOVID, Imeri u shpreh se në fillim numri ka qenë i ulët por që tashmë është në rritje.

“Numri i saktë zyrtar i shqiptarëve të vaksinuar në Zvicër nuk është publikuar kurse informata të përafërta kemi nga gazetarët që kanë kontaktuar me mjekët të cilët janë të përfshirë në procesin e vaksinimit. Në fillim numri ka qenë i ulët, sepse nga të moshuarit që kanë plotësuar kriteret të vaksinohen, ka më pak shqiptarë. Tani, pasi janë hequr kriteret e moshës dhe kriteret tjera, numri i shqiptarëve që janë vaksinuar apo kanë bërë termin për t’u vaksinuar është në rritje”, theksoi Imeri.

Foto/ Albinfo.ch

Gjatë bisedës, Imeri potencoi se shqiptarët kanë interesim që të informohen saktë për vaksinat, por që disa lajme negative kanë shkaktuar pasiguri tek të gjithë qytetarët.

“Shqiptarët janë shumë të interesuar për informim të saktë. Pasiguria të cilën e shkaktojnë lajmet negative rreth vaksinës, vërehet te të gjithë, jo vetëm te shqiptarët. Mirëpo, sa më shumë informata dhe të dhëna statistikore për vaksinën dhe efektin e saj, aq më i ulët do të jetë numri i skeptikëve dhe më i madh numri i personave që do të vaksinohen”, shtoi më tej ajo.

Imeri pohoi tutje se kanë punuar në vetëdijesimin e qytetarëve për të marrë vaksinën.

“Në bashkëpunim me Albinfo, kam qenë aktive në shkrime të artikujve për efektin dhe rëndësinë e vaksinës qysh nga viti i kaluar”, theksoi ajo.

Imeri gjithashtu tregoi për Telegrafin se tashmë ajo ka marrë vaksinën antiCOVID, duke shtuar tutje se Zvicra është duke diskutuar për masa lehtësuese për qytetarët që janë vaksinuar, por që ende nuk ka ndonjë vendim.

Në fund, mikrobiologia porositi shqiptarët në Zvicër që të marrin vaksinën antiCOVID, pasi që është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksioni me COVID-19.

“Tani për tani, mënyra më e mirë për t`u mbrojtur nga infeksioni me COVID-19 është vaksina. Me gjasë, vaksina do të mbetet i vetmi opsion edhe në të ardhmen”, porositi mikrobiologia.

Vlen të ceket që Zvicra ka larguar Kosovën nga lista e vendeve me rrezik të lartë të infektimit që nga data 6 maj, kurse në fuqi vazhdon të mbetet rregulli për paraqitjen e testit negative për udhëtarët nga Kosova.

Gjithashtu, Zvicra ka lehtësuar masat antiCOVID gjatë muajit të kaluar.

Youtube

Arkiva

Kategoritë