Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Fillon Testi i Arritshmërisë i mbi 26 mijë nxënësve në vend

Ka filluar testimi për Testin e Arritshmërisë, në orën 10:00 i mbi 26 mijë nxënësve të klasave të nënta në të gjitha shkollat e Kosovës.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Arsimit nga ky test nxënësit e klasave të nënta me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme, ndërsa për shkak të pandemisë në klasa do të lejohen vetëm nga 15 nxënës.

Ministria e Arsimit njofton se në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MASHT-i ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij testi, raporton Telegrafi.

“Ministria e Arsimit është e vendosur dhe e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, ndërsa ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

Sipas MASHTI-it, organizimi i testit do të realizohet sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm.

“Për shkak se është kohë pandemie, forma e organizimit të sistemimit të nxënësve në klasë, duhet të realizohet një nxënës në një bankë kurse në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës”.

MASHTI fton të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, që të respektohen në përpikëri rregullat dhe masat kundër COVID-19.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI.

Rezultatet e Testit të Arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor.

Youtube

Arkiva

Kategoritë