Dhimbja e belit është simptomë mjaft e shpeshtë të cilin e hasim në 8 nga 10 njerëz në ndonjë fazë të jetës së tyre. Mund të paraqitet në çdo moshë, por është më e shpeshtë në moshat prej 35 dhe 55 vjet
Mr.Sci.Dr. Bujar Gjikolli,
PhD candidate
Emërtimet mjekësore akute dhe kronike përdoren për të përshkruar kohëzgjatjen e dhimbjes, por jo edhe sa të forta janë ato. Dhimbja akute e belit emërton dhimbjen që zgjatë më pak se gjashtë javë, ajo subakute gjashtë javë deri tre muaj dhe dhimbja kronike, ajo dhimbje që zgjatë më shumë se tre muaj.
Si është i ndërtuar kurrizi dhe si funksion beli juaj?
Kurrizi si tërësi është i ndërtuar nga eshtrat që quhen unaza. Ato janë mirë të ndërlidhura në mes veti me tetiva dhe me disqe ndërunazore të vendosura në mes të unazave për të shërbyer si amortizues të ngarkesës.
Këto struktura mundësojnë lakimin, lëvizjet e kurrizit dhe ofrojnë mbrojtje indeve të ndryshme në trup (palcës kurrizore, nervave spinal, enëve të gjakut, organeve të barkut dhe të komblikut) dëmtimi i të cilave mund të shkaktojë dhimbjen e belit.
Imazhe të tërë kurrizit me rezonancë magnetike – whole spine, ku vizualizohen pjesë të ndryshme që e formojnë atë
Shkaktarët e dhimbjes së belit
Dhimbja e belit është një dhimbje jo specifike e cila në 9 nga 10 njerëz me këto ankesa, shërohet vetvetiu plotësisht brenda 6 javëve. Zakonisht dhimbja e belit nuk shkaktohet nga një gjendje me dëmtim të përhershëm të indeve.
Dhimbja e belit shkaktohet nëse:
▪ qëndroni në këmbë, ulur ose të lakuar për një kohë më të gjatë
▪ ngritni, bartni, shtyni ose tërhiqni pesha shumë të rënda, ose nëse këtyre lëvizjeve u qaseni në mënyrë të gabuar
▪ keni udhëtuar gjatë ose jeni rrëzuar
▪ jeni të stresuar dhe me ngarkesë
▪ nga mbipesha trupore
Në rastet tjera, shkaktari i dhimbjes mund të jetë më serioz: osteoporoza, disku që ka rrëshqitur (prolaps i diskut), ngushtimi i kanalit të kurrizit (stenozë), stërkeqja (malformim) e kurrizit, infeksioni ose shkrirja e unazës, tuberkulozi ose kanceri.
Burimi i dhimbjes së belit mund të jetë jo vetëm nga kurrizi dhe strukturat nervore të saja por edhe me burim nga veshkat, shtatzënia, problemet me vezore, infeksionet/tumoret në bark dhe komblik, aneurizma (zgjerimi) ieaortës dhe infeksionet e lëkurës.
Simptomat e dhimbjes së belit
Dhimbja e belit mund të paraqitet menjëherë ose gradualisht dhe zakonisht paraqitet në pjesën e poshtme të kurrizit prej nga ajo përhapet deri në kofsha ose nën gjunjë.
Dhimbja mund të zgjasë disa ditë dhe të kalojë vetvetiu por nëse keni simptomat e poshtëshënuara, ju duhet të vizitoni mjekun tuaj menjëherë:
Temperaturë të lartë, skuqje ose të ënjtura (edemë) në shpinën tuaj, dhimbje në këmbët tuaja ose nën gjunjë, mpirje ose dobësim në të dy këmbët ose rreth kofshëve, humbje të kontrollit mbi ujëderdhje ose të jashtëqitjes (inkontinencë).
Nëse keni simptomat e poshtëshënuara, atëherë ju keni nevojë patjetër për trajtim të gjendjes suaj dhe duhet të vizitoni mjekun tuaj:
Dhimbja juaj është pasojë e lëndimit, jeni të moshës nën 20 ose mbi 50 vjet dhe dhimbja zgjatë më shumë se disa ditë, keni ose keni pasur kancer në ndonjë pjesë të trupit tuaj, keni HIV/AIDS ose keni marrë steroide (barëra) për më shumë se disa muaj.
Diagnostikimi i dhimbjes së belit
Diagnostikimi i dhimbjes së belit bëhet me konsultim me mjekun i cili mund të përdorë testet objektive, testet e gjakut, metodat imazhuese me radiografi klasike, me tomografi të kompjuterizuar – TK, me rezonancë magnetike – RM.
Diagnostikimi me rezonancë magnetike është më superiori nga teknikat tjera imazhuese dhe preferohet të bëhet në aparatet me aftësi të madhe të dhënies së imazheve me qartësi të lartë e cila arrihet me aparatet e reja prej me së paku 1.5 Tesla.
Me këto aparate mund të punohet i tërë kurrizi (whole spine) dhe vlerësohet patologjia pa rrezik nga rrezatimi (nuk ka rrezatim). Poashtu, mund të bëhet edhe vlerësimi i qeses durale ku janë të vendosura palca kurrizore me nervat e saja pa përdorim të kontrastit intravenoz.
Trajtimi i dhimbjes së belit
Vetëtrajtimi
Janë disa mënyra se si mund t’i ndihmoni vetes në rastet me dhimbje të belit:
▪ Të vazhdohet me aktivitet – kthehuni aktiviteteve fizike sa më shpejtë që është e mundur. Kjo mund të shkaktojë më shumë dhimbje në fillim por do të ju ndihmojë të që të shëroheni më shpejtë dhe të parandaloni përsëritjen e dhimbjes.
▪ Pushimi në shtrat – nëse dhimbja është shumë e fortë dhe ju nuk mund të lëvizni, mundohuni që të qëndroni sa më pak në shtrat sepse ajo ndonjëherë mund të bëjë më shumë dëm se sa të ndihmoj.
▪ Mbani disponim pozitiv dhe jepni vetes caqe për t’i arritur – kjo do të ju ndihmojë që të mbani nivelin e aktiviteteve fizike.
▪ Terapia me ngrohje – përdorni shishe me ujë të ngrohtë drejtë për drejtë në regjionin e dhimbjes ose bëni dush të ngrohtë.
▪ Terapia me akull – përdorni lecka të ftohta (akull të mbështjella me leckë) por mos e përdorni akullin direkt në lëkurë se mund ta dëmtoni atë duke pasur kujdes që mos ta teproni kur dhimbja të fillojë të zhduket.
Barnat
Marrja e barnave kundër dhimbjes si aspirina, ibuprofeni ose paracetamoli, shpeshherë mund të mjaftoj për eliminimin e dhimbjes dhe kthimit tuaj në aktivitetet e përditshme.
Nëse dhimbjet tuaja vazhdojnë ju duhet vizituar mjekun i cili mund të përshkruaj barëra tjera të cilat ndonjëherë mund të shkaktojnë edhe varësi.
Gjithmonë konsultohuni me mjekun dhe me farmacistin për barërat e juaja. Mjeku juaj do të shqyrtojë edhe format tjera të trajtimit të dhimbjes suaj të belit; fizioterapinë, stimulimin elektrik të nervave nëpërmes lëkurës (TENS), injektimin e barërave në vendin e dhimbjes, terapitë alternative (akupunktura, masazhet, terapinë me bimë, etj) dhe në fund qasjen kirurgjike të trajtimit të dhimbjes suaj të belit.
Duhet theksuar se trajtimi i dhimbjes së belit është i ngadalshëm dhe arrihet me durim dhe angazhim për kryerjen e rregullt të ushtrimeve të sugjeruara nga mjeku.
Parandalimi i dhimbjes së belit
Kujdesi i trupit tuaj me ushtrime të rregullta (ecje, not), reduktimi i nivelit të ngarkesës dhe mbajtja e qëndrimit të mirë të trupit tuaj reduktojnë në masë rrezikun për shkaktimin e dhimbjes së belit – lumbago.