Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Si trajtohen mbeturinat, pajisjet mbrojtëse dhe mbetjet medicinale të COVID-19?

Stafi mjekësor dhe organizatat e ndryshme joqeveritare kanë shprehur shqetësimin e tyre për rrezikshmërinë e qytetarëve nga prania e pajisjeve dhe produkteve mjekësore që përdoren për mbrojtjen dhe trajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19, në ambiente të ndryshme në Kosovë, përcjell Albanian Post.

Përdorimi i maskave dhe dorezave për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, ka rritur sasinë e mbeturinave të tyre jashtë kontejnerëve.

Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, thotë për Albanian Post se pas shpalljes së pandemisë nuk është vërejtur ndonjë aktivitet shtesë nga organet kompetente që t’i trajtojnë në mënyrë të veçantë këto mbetje.

“Moskujdesi për mbetjet e tilla e rritë mundësinë e përhapjes së Coronavirusit, ai material duhet të eliminohet, posaçërisht shiringat, sepse mund të jenë të kontaminuar, të rrezikshme për qytetarët dhe mjedisin. Përkundër faktit që COVID-19 bartet në mënyrë ajrore, por edhe në shiringa virusi mund të qëndrojë për një kohë të caktuar dhe kontakti me to krijon mundësinë e përhapjes së virusit”, thotë Hasanaj për Albanian Post.

Një problem tjetër është edhe hedhja e maskave gjithandej.

“Qytetarët duhet të jenë shumë më të kujdesshëm, sepse një gjë e tillë po ndodh rregullisht dhe kjo paraqet po ashtu rrezik për përhapje të virusit”.

Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”, thotë për Albanian Post se kompania bën grumbullimin e mbeturinave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilat gjenden maska, doreza dhe pajisje tjera mbrojtëse, që sipas saj, paraqesin rrezik për shëndetin e punëtorëve.

“Ne si kompani kryejmë shërbimet e largimit të mbeturinave edhe nga QKUK, ku dihet që këto mbeturina janë bërë brenda objektit të QKUK-së mirëpo nuk kemi marrëveshje të veçantë apo marrëveshje konkrete për shërbimin e veçantë të këtyre mbeturinave apo mbetjeve nga COVID-19 në QKUK”, thotë Ademi.

Ajo shton se kompania “Pastrimi” merr mbeturina nga kontejnerët e QKUK-së mirëpo kurrë nuk e dimë çfarë mbeturina ka në ata kontejnerë.

“QKUK mund të ketë një kompani të kontraktuar e cila bën trajtimin e mbeturinave të COVID-19, ne nuk kemi informacion të saktë lidhur me këtë çështje ne bëjmë largimin vetëm nga kontejnerët e QKUK-së”.

Po ashtu, thotë se kompania e pastrimit, është duke bërë punën e tyre me korrektësi që vendi të mos përballet me ndonjë epidemi tjetër.

Arben Vishaj, infektolog hedhjen e pajisjeve kundër COVID-19 në mjedis po e konsideron gjest ofendues dhe në të njëjtën kohë të rrezikshëm për mundësinë e përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe infeksioneve të tjera.

“Hedhja e maskave dhe në ambientin e jashtëm është dukuri e pa pranueshme dhe paraqet rrezik në mundësinë e përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe infeksioneve të tjera. Hedhja e maskave në ambientin e jashtëm është dukuri e pa pranueshme dhe paraqet rrezik në mundësinë e përhapjes së infeksionit”, tha Vishaj.

Infektologu Vishaj pohon se organizatat duhet të sensibilizojnë opinionin për këtë dukuri dhe kompanitë të marrin masat e duhura që mbeturina e grumbulluara të largohen për në deponim të caktuar.

Mirlinda Qyqalla, zëdhënësja e QKUK-së për Albanian Post ka treguar se mbeturinat infektive menaxhohen dhe futen në thasë të caktuar.

“Në thasë të verdhë vendosen mbeturinat infektive, në thasë të zezë dhe kaltër mbeturinat inerte, në thasë të kuq mbeturinat medicinale radioaktive, gjatë ekzaminimeve radiologjike si dhe ato të kimioterapisë”, thotë Qyqalla.

Në kuti të mbeturinave vendosen mjetet e mprehta, shiringa gjilpëra dhe të tjera.

Ndërsa, shton se janë vendosura shtëpiza të veçanta në formë të kontejnerëve me çelësa në mënyrë që të hapen e mbyllen nga personat kompetentë.

Ajo deklaron se puna e mirë po bëhet në serilizatorin për asgjësimin e mbeturinave mjekësore, investim i bërë nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, “në këtë sterilizatorë  bëhet sterilizmi apo inertizimi i mbetjeve mjekësore, pa krijuar ndotje të ambientit, përmes këtij sterilizatori, bëhet inertizimi i mbeturinave medicinale me metodat më të avancuara, përmes avullit në temperaturë 140 gradë celsius”.

Përmes kësaj metode po mundësohet bluarja e mbeturinave, me ç ‘rast  zvogëlohet sasia e mbetjeve dhe më tutje.

Sa i përket mbetjeve njerëzore, placentat dhe pjesëve nga amputimet, QKUK ka kontratë me kompaninë “Kosova Limo”, e cila bënë grumbullimin e tyre dhe më pastaj edhe varrimin e atyre mbetjeve të cilat nuk paraqesin rrezik  për ambientin e jashtëm.

Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës, më 28 korrik, 2020, ka marrë vendim, në bazë të të cilit të gjithë banorët e Republikës së Kosovës obligohen që t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Youtube

Arkiva

Kategoritë