Administrata e Ushqimit dhe Barnave po përgatitet të autorizojë përdorimin e vaksinës Pfizer-BioNTech, kundër Covid-19, tek adoleshentët 12 deri në 15 vjeç, deri në fillim të javës së ardhshme.
Vaksinimi i fëmijëve është thelbësor për ngritjen e nivelit të imunitetit në popullatë dhe uljen e numrit të shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
Autorizimi mund të vijë në fund të kësaj jave, sipas zyrtarëve federalë të cilët nuk i dhanë emrat e tyre sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht, shkruan New York Times.
Nëse jepet ky autorizim, paneli këshillimor i vaksinave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka të ngjarë të mblidhet ditën tjetër për të shqyrtuar të dhënat e provës klinike dhe për të bërë rekomandime për përdorimin e vaksinës tek adoleshentët.
Pfizer disa javë më parë raportoi se asnjë nga adoleshentët në provën klinike që morën vaksinën nuk pati infeksione simptomatike.
“Ne mund të sigurojmë publikun se jemi duke punuar për të shqyrtuar këtë kërkesë sa më shpejt që të jetë e mundur“, tha Stephanie Caccomo, zëdhënëse e Administratës së Ushqimit dhe Barnave.