Vaksina Oxford-AstraZeneca është e sigurt, ka thënë sekretari i shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, pasi disa shtete europiane ndaluan përdorimin e saj mes shqetësimeve për mpiksjen e gjakut.
Hancock u bëri thirrje njerëzve të “dëgjojnë rregullatorët” dhe të “marrin vaksinën” sa më shpejt që të kenë mundësinë.
Rreth 13 vende kanë pezulluar përdorimin e vaksinës ndërsa kërkojnë sqarime të mëtejshme mbi sigurinë e saj.
Por vëzhguesi i ilaçeve në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se provat “nuk sugjerojnë” se vaksina shkakton mpiksje.
Rreth 17 milionë njerëz në të gjithë BE dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë një dozë të vaksinës, me më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut të raportuar që nga java e kaluar, tha prodhuesi AstraZeneca.
Ai tha se numri i rasteve të mpiksjes së gjakut të raportuara ishte më i ulët se qindra raste që do të priteshin në mesin e popullatës së përgjithshme.
Në një përpjekje për të qetësuar publikun britanik, Hancock theksoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave, të gjithë besuan se vaksina ishte e sigurt.
“Ne i mbajmë nën vëzhgim efektet e këtyre vaksinave gjatë gjithë kohës dhe e dimë që vaksina Oxford-AstraZeneca po shpëton jetë në Mbretërinë e Bashkuar tani, kështu që nëse merrni një telefonatë, merrni vaksinën”, tha ai