Një vit më parë, Shqipëria raportoi dy rastet zero me koronavirus. Atë e bir nga Tirana pasi ishin kthyer nga Italia, u konfirmuan zyrtarisht pozitivë.
Pavarësisht debateve mes mjekëve se Covid-19 ka qenë në qarkullim më herët në vendin tonë, numërimi i rasteve pozitive nis nga 9 marsi i 2020. Në fillimet e pandemisë gjithçka ishte e panjohur për virusin, frika pushtoi mbarë njerëzimin. Drama që po përjetonte Kina dhe Italia fqinje ishte tronditëse dhe kambanë alarmi për vendin tonë, i cili do të goditej në pikën më të dobët, në shëndetësi. Për tre muaj, vendi u izolua, shëndetësia u ngrit në gatishmëri dhe kërkonte financime si asnjëherë më parë.
Gjatë karantinës, infektimet ishin me një shifër, edhe më të ulëta humbjet e jetës. Covid-19 ishte ankthi më i madh, ndaj dhe masat mbrojtëse respektoheshin nga të gjithë. Infektivi mori hijen e rëndë, i pari spital karantinë për rastet e vështira, e pas tij u hap sanatoriumi dhe të tjera struktura Covid.
Me rihapjen e vendit në qershor dhe muaj më vonë, Sars COV-2 zgjeronte hartën e infektimeve, vdekjet po shtoheshin madje edhe brenda radhëve të mjekëve, më të ekspozuarit ndaj virusit. Ndërsa në popullatë, masat mbrojtëse po neglizhoheshin dukshëm. Thuajse çdo 3 muaj shënohej një valë infektimesh, ndërsa masat kufizuese që dilnin nga komiteti i ekspertëve ishin më liberale se situata nga pandemia, madje edhe se skenarët shtrëngues të vendeve fqinje e më tej.
Edhe me vaksinimin jemi shumë larg vendeve të Evropës. Më 11 janar u hap fushata e vaksinimit, kryeministri e injektoi i pari dhe më pas mjekët e spitaleve Covid. Mbi 20 mijë persona janë vaksinuar deri tani, personel mjekësor dhe të moshuarit në azile. Qeveria ka premtuar vaksinim intensiv deri në qershor, por duket se më herët do të prekemi nga Covid-19, se sa të imunizohemi nga vaksina.
Tremujori i fundit i një viti pandemi, veçanërisht shkurti, shënoi pikun e infektimeve dhe të vdekjeve. Rastet ditore ishin me katër shifra dhe gati 20 humbje jete çdo 24 orë. Virusi u bë më agresiv për shkak të qarkullimit të mutacioneve të reja të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Sipas të dhënave zyrtare, në 1 vit pandemi, janë prekur nga koronavirusi më shumë se 113 mijë persona dhe 35 mijë janë të sëmurë aktivë. Por, me llogaritjet e epidemiologëve, infektimet në popullatë janë 10 herë më të larta se shifrat zyrtare. Në vitin e parë të pandemisë, kanë humbur jetën mbi 1900 qytetarë./A2news.com