Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Irritimi i të ndenjurave te foshnjat; Si duhet trajtuar

Foshnjave u skuqen herë pas here të ndenjurat, madje edhe nëse pelenat ndërrohen shpesh dhe nëse tregohet kujdes në pastrimin e tyre. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, përfshirë irritimin nga jashtëqitja apo nga produktet, si: letrat e lagura, pelenat apo detergjentet e rrobave. Irritimi mund të shkaktohet edhe sepse lëkura mund të jetë shumë e ndjeshme, nga infeksioni bakterial, acarim ose të kruara nga pelenat apo veshjet e ngushta. Skuqja e të ndenjurave zakonisht trajtohet lehtë dhe zhduket brenda disa ditëve. Rëndësi ka që foshnja të mbahet sa më pastër dhe thatë që të jetë e mundur. Kur t’ia ndërroni pelenat shpëlajeni me ujë. Nëse të ndenjurat e foshnjës janë irrituar dhe skuqur, mundohuni të mos e lani atë zonë me sapun apo ta fshini me peceta me aromë. Alkooli dhe parfumet që përmbajnë këto produkte, mund ta irritojnë edhe më shumë. Gjithashtu, është e rëndësishme që ta lini një copë herë të ajroset, para se t’i vendosni pelenën tjetër. Nëse është e mundur: 

-lëreni të rrijë pa pelena për periudha të shkurtra kohe;

– shmangni përdorimin e mbathjeve plastike apo pelenave të ngushta; 

-përdorni pelena më të mëdha derisa skuqja të ikë plotësisht. Gjithashtu, përdorni një pomadë qetësuese si Desit, Balmeks apo A+D, sa herë që vëreni skuqje.

Shumë nga kremrat dhe pomadat që janë kundër skuqjes, përmbajnë përbërësin aktiv të oksidit të zinkut. Zakonisht këto produkte përdoren disa herë gjatë ditës, për ta qetësuar dhe mbrojtur lëkurën e foshnjës. Në rast se brenda disa ditësh nuk vëreni asnjë përmirësim, konsultohuni me pediatrin. Mos përdorni pudër apo niseshte në lëkurën e foshnjës. Kjo e fundit mund ta thithë pudrën dhe të shkaktojë probleme, kurse niseshteja mund të shkaktojë infeksion bakterial. Për të parandaluar skuqjen e të ndenjurave, shmangni përdorimin e pelenave superthithëse, sepse mund të ndërrohen më rrallë. Në rast se përdorni pelena prej pëlhure, sigurohuni që t’i lani dhe shpëlani mirë ato. Për të përmirësuar qarkullimin e gjakut, përdorni mbathje plastike që mbyllen dhe hapen shpejt, në vend të atyre me llastik. Përveç kësaj, në rastin e pelenave prej pëlhure mundohuni të përdorni shtresa thithëse.

Youtube

Arkiva

Kategoritë