Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të enjten një rënie prej 17 për qind të rasteve të reja me COVID-19 në të gjithë botën, një trend i regjistruar në të gjashtë rajonet që monitoron.
Por, siç shkruan Euronews, kjo statistikë shpresëdhënëse mund të maskojë të dhëna jo të plota nga vendet më të vogla dhe mungesën e mirëkuptimit në lidhje me variantet e reja të virusit.
Numri më i fundit i OBSH-së regjistroi 3.15 milionë raste të reja të Covid-19 në të gjithë botën në një javë – një rënie prej 17 për qind nga java e kaluar dhe java e katërt rresht e rënies.
Gjithsesi, OBSH sugjeron se mund të ketë një ndryshim të madh midis situatës reale të rasteve me Covid-19 dhe asaj që perceptohet, edhe kur raportohet se numri i rasteve javore ka rënë në Afrikë, Amerikë, Azinë Juglindore, Evropë, Mesdheun Lindor dhe Paqësorin Perëndimor, të gjashtë të rajoneve të organizatës.
Sidoqoftë, rëniet janë më të dallueshme në vende të tilla si India, Japonia dhe Spanja, dhe shumë më pak në Francë dhe Gjermani.
“Sigurisht që nuk është një lajm i keq, por ne ende nuk e dimë sa i mirë është”, tha për France24 virologu Jonathan Stoye, kreu i kërkimit në Institutin Francis Crick në Londër.
Ulja e përgjithshme e rasteve të reja është kryesisht për shkak të vendeve të mëdha që përbëjnë pjesën më të madhe të infeksioneve të raportuara.
Infeksionet kanë rënë në Mbretërinë e Bashkuar (e cila raportoi një rënie prej 25 për qind), SHBA (20 për qind) dhe Brazili (10 për qind).
Por Jean-Stéphane Dhersin, zëvendës drejtori shkencor i Institutit Kombëtar të Shkencave Matematikore të Francës dhe një specialist në modelimin e epidemive, në një intervistë për FRANCE 24 ka thënë se të dhënat e OBSH-së ende tregojnë vetëm një pjesë të historisë: numrat në thelb tregojnë trajektoren e “klasike” të Covid-19 pa pasqyruar shfaqjen e varianteve.
“Ajo që është e dukshme në shifra është evolucioni i rasteve të infeksioneve me llojin më të madh të virusit, i cili është ende forma origjinale e Covid-19”, tha ai.