Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si duhet të ushqeheni dhe çfarë duhet të kufizoni pas lindjes me operacion

Pasi keni qëndruar disa orë në dhomën e paslindjes, ka shumë mundësi që t’ju lëvizin në një dhomë në pavijonin e lindjeve. Gjatë 24 orëve të ardhshme, mjeku dhe infermieret do të mbajnë nën mbikëqyrje të dhënat tuaja jetësore, gjendjen e plagës, sasinë e urinës dhe atë të hemorragjisë që mund të keni pas lindjes.

Periudha e shërimit: pas operacionit, pacientja qëndron në maternitet rreth tri ditë. Disa mund të dalin edhe dy ditë pas operacionit. Gjatë qëndrimit në maternitet, por edhe kur të ktheheni në shtëpi, është e rëndësishme që të kujdeseni për veten, që të mëkëmbeni sa më shpejt. Pjesa dërrmuese e grave e marrin veten nga operacioni me shumë pak ose asnjë problem.

Dhimbjet. Në maternitet do t’ju japin qetësues për dhimbjet. Ndoshta nuk ju pëlqen ideja që pas operacionit të merrni mjekime, veçanërisht nëse keni vendosur që ta ushqeni foshnjën me gji, por pasi t’ju dalë anestezia, është e rëndësishme të merrni qetësues për dhimbjet, që të jeni sa më të qeta. Qetësimi është thelbësor gjatë ditëve të para kur plaga nis të shërohet. Nëse ka ardhur koha të dilni nga materniteti, por ndieni ende dhimbje, mjeku mund t’ju rekomandojë disa qetësues, të cilët mund t’i merrni edhe në shtëpi.

Ushqyerja. Orët e para pas operacionit, mund të mbani në gojë vetëm ndonjë copë të vogël akulli ose të pini disa gllënjka ujë. Menjëherë pasi aparati tretës të fillojë të punojë normalisht, mund të pini më shumë lëngje dhe ndoshta të konsumoni disa ushqime që treten lehtë. Do të jeni gati të filloni të hani, kur të keni gazra. Kjo tregon se aparati tretës po ripërtërihet dhe po fillon të punojë sërish.

Kufizimet. Gjatë javës së parë pas operacionit, është e rëndësishme që të mos bëni asgjë tjetër, por të kujdeseni vetëm për veten dhe foshnjën e porsalindur.

-Mos ngrini pesha të rënda dhe mos u merrni me punë që ushtrojnë peshë mbi plagë. Mos harroni që kur të lëvizni ta mbani barkun me dorë. Mbajeni trupin drejt dhe plagën me dorë sa herë që të bëni ndonjë lëvizje që mund ta tronditë atë, si për shembull kur kolliteni, teshtini apo qeshni. Kur të ushqeni fëmijën, përdorni jastëkë apo peshqirë për t’u mbështetur.

– Merrni mjekime sipas nevojës. Mjeku mund t’ju rekomandojë acetaminofen (tylenol dhe qetësues të tjerë) për lehtësimin e dhimbjeve. Nëse jeni kaps apo lëvizjet e zorrëve shoqërohen me dhimbje, mjeku mund t’ju rekomandojë një stimulues për jashtëqitjen apo një laksativ të lehtë, që blihet pa recetë, siç është edhe “Milk of magnesia”.

 – Pyesni mjekun se çfarë duhet apo nuk duhet të bëni. Ju mund të ndiheni shumë të lodhura, ndaj

Mos u sforconi! Jepini kohë vetes që të shëroheni plotësisht. Në fund të fundit, s’ka kaluar shumë kohë që kur keni dalë nga materniteti. Shumica e grave, sapo ndihen pak më mirë, e kanë shumë të vështirë të qëndrojnë shtrirë dhe pa lëvizur.

-Mos i jepni makinës derisa të lëvizni lirshëm këmbët dhe bustin. Ndonëse disa gra e marrin veten më shpejt se disa të tjera, nuk duhet t’i japin makinës për dy javë.

-Mos kryeni marrëdhënie seksuale. Mos bëni seks deri kur t’ju thotë mjeku. Normalisht, nuk duhet të kryeni marrëdhënie katër deri në gjashtë javë pas operacionit. Ndërkohë, nuk është e thënë që të hiqni dorë nga intimiteti. Kaloni sa më shumë kohë me partnerin, qoftë edhe disa minuta në mëngjes ose në mbrëmje, pasi foshnjën ta ketë zënë gjumi.

– Mund të filloni të ushtroheni, kur t’jua lejojë mjeku. Merreni sa më shtruar. Noti dhe ecja janë zgjedhje shumë të mira. Javën e tretë ose të katërt pas daljes nga materniteti, ka mundësi t’i ktheheni veprimtarisë normale në shtëpi.

Burimi: Living

Youtube

Arkiva

Kategoritë