Komisioni i Oranizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve ka reaguar ndaj mediave për mënyrën e raportimit të këtyreve të fundit për zhdukjen e 15-vjecares N.N. nga Prizreni.
Sipas tyre, kjo mënyrë e raportimit është në kundërshtim me parimet etike, legjislacionin në fuqi dhe, mbi të gjitha, cenon rëndë privatësinë e fëmijës në fjalë.
“Mediat duhet të kenë parasysh që edhe në rrethanat kur prindërit ose kujdestarët ligjor të fëmijëve shpalosin apo ndajnë informata dhe detaje rreth rastit, mediat në asnjë rrethanë nuk duhet të publikojnë informata të cilat dëmtojnë integritetin e fëmijës, e veçanërisht për fëmijët viktima. Madje, KOMF konsideron që roli i mediave përveç që duhet të jetë informues duhet të jetë edhe edukues për prindërit në raste të tilla”, thuhet në reagim.
KOMF madje ka kërkuar nga Këshilli i Pavarur për Media ta shqyrtojnë këtë rast dhe të marrin masat e nevojshme.
Kërkesa e tillë do t’i drejtohet pikërisht KPM-së, e cila do të merret me parimet profesionale e etike të shkelura gjatë raportimeve për këtë rast.