Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka njoftuar qytetarët se zyrtarisht janë siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19.
Përmes një deklarate për media, Rama tregoi se 10 mijë e 750 dozat e para do të vijnë në javën e tretë të janarit, ndërsa mbi 30 mijë të tjera gjatë muajit shkurt, pas marrëveshjes së arritur me kompaninë Pfizer&BioNTech.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se puna për sigurimin e vaksinimit nuk është ndalur me kaq, pasi sipas tij 9 mijë doza do t’i sjellin dy vende partnere në mes të janarit.
“Kemi dakordësuar marrjen e vaksinës nga kompania Pfizer. Kemi dakordësuar blerjen e 500 mijë vaksinave nga Pfizer. 10.750 doza të vaksinës do vijnë në javën e tretë të janarit. 30 mijë doza të vaksinës do të vijnë në shkurt dhe në vazhdim. 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit”, ka thënë Rama ndër të tjera.